Shkrime
Nuk na duhet më/ Shqipëria s’mund të mbetet peng i Edi Ramës, gaztor që kënaq egon e tij
Nga Agim Nesho
Tallja e Ramës ndaj përpjekjeve të jashtëzakonshme të Presidentit Trump për të sjellë paqe të qëndrueshme në gjithë rajonet e botës ku konfliktet janë prezent, ka marrë një vëmendje të shtuar në shtypin amerikan dhe atë botëror. I gjithë shtypi e ka diskutuar në këndvështrime të ndryshme dhe kanë evidentuar atë që ka interes për opinionin publik të vendeve të tyre: Në Moskë qeshin se si liderat europianë janë të pafuqishëm ndaj Presidentit Trump, kur duan të tregojnë forcën në Ukrainë; në Amerikë demokratët e shpartalluar në zgjedhjet e vitit 2024 dhe në konfuzion kënaqen se si liderat europianë tallen me Presidentin Trump. Për më tepër, diskutimet në qarqet politike të Uashingtonit evidentojnë sjelljen jo dinjitoze të Presidentit Makron që rri dëgjon disa idiotë që nuk bëjnë gjë tjetër veçse shërbejnë si lakej të oborrit të liderave europianë. Gaztorët shikohen si vegla që përdoren nga aktorët politikë, për të tërhequr vëmendjen dhe goditur në ato cështje ku ata nuk kanë guximin ta bëjnë. Rama godet procesin e nominimit të Presidentit Trump për çmimin Nobel për Paqe duke vënë në dyshim kontributin e tij.
Marrja e rolit të gaztorit politik të liderave europianë nga kryeministri Rama është shfaqja e fundit e një pushtetari të një vendi të vogël, të cilët i kanë mbaruar idetë, është përdorur keq dhe kërkon të mbetet prezent duke u zvarritur me shfaqje dhe veprime për të rënë në sy. Ai njëherë shtrihet dhe i gjunjëzohet Melonit, herën tjetër i deklaron Makron që punën e tij të madhe për konfliktin Armeni-Azerbajxhan ta përvetësojë Trump. Siguria e tij për këtë rol i vjen nga kapja prej regjimit të tij të shtetit Shqiptar, blerja e influencës me asetet kombëtare dhe përkrahja për interesat e tyre nga klani Soros. Ai kujton se është i paprekshëm se bashkëpunon me sukses me biznesin e sheikëve arabë dhe interesat e tyre në Europë, se ruan interesat dhe bashkëpunimin me proxiet e Rusisë në Ballkan si Vucic, dhe është klient pa kushte i gjithë liderëve europianë për ta përdorur, vetëm me kushtin për ti njohur pushtetin e tij të korruptuar dhe zgjedhjet farsë që ai zhvillon.
Por kryeministri Rama harron që në rolin e tij të gaztorit ai nuk përfaqëson individin Rama, por përfaqëson shqiptarët. Dëmet që mund ti vijnë Shqipërisë dhe shqiptarëve mund të jenë të mëdha. Mendoni për një moment që reagimi ndaj gaztorit mund të prekë interesat e shqiptarëve për qarkullim të lirë dhe aspiratave të tyre për t’ju bashkuar Perëndimit. “Zeusi” nuk dihet se ku e lëshon rrufenë, ndoshta dhe për të ndërgjegjësuar një popull që fle nën diktaturë.
Ngjarja e ndodhur në Kopenhagen në Komunitetin Politik Europian nuk është vetëm një shaka pa kripë që duhet të harrohet. Ajo duhet të ndërgjegjësojë shoqërinë Shqiptare se përse i duhet më një Edi Rama i korruptuar, një Edi Rama i lidhur me ngjarjet e Arubës dhe lejon Shqipërinë të kthehet në lavatriçen e pastrimit të parave, kur strategjia e SHBA është luftë deri në fund kundër krimit, karteleve të drogës; një Edi Rama që në mënyrë të përsëritur godet Presidentin Amerikan duke hyrë në luftën politike të brendshme të demokracisë më të fuqishme të botës; Një Edi Rama që ka larguar me politikat e tij mbi një milion shqiptarë dhe pasuron me pronat publike klientët e tij.
Ky është problem që duhet të zgjidhë shoqëria Shqiptare. Shqipëria nuk mund të mbetet peng e një gaztori, që kënaq egon e tij.