Politike
Nuk shënoi në padi Emrin, as Mbiemrin dhe kartën e ID/ Mereme Sela zyrtarisht e skualifikuar
Mereme Sela është zyrtarisht e skualifikuar nga gara për kreun e Partisë Demokratike, pasi veç komisionit të ngritur në PD, edhe Gjykata e Tiranës i ka mbyllur derën për ankimimin e saj, duke zbuluar në fakt parregullësi të madha edhe në padi.
Sipas vendimit të marrë më datë 8 Maj, ga gjyqtarja Suela Xhani, pala paditëse Mereme Sela nuk ka përcaktuar qartë në kërkesë emrin, atësinë, mbiemrin dhe të dhëna të tjera që shërbejnë për identifikimin e palës paditëse.
Gjithashtu, padisë nuk i është bashkëlidhur një mjet identifikimii vlefshëm, në formën e kërkuar nga ligji.
Por nuk është vetëm kaq. Gjykata thotë se, rezulton që pala e paditur është person juridik dhe, rrjedhimisht duhet përcaktuar qartë emërtimi i tij, ashtu siç figuron në regjistrat publikë, duke treguar edhe selinë ose zyrën qendrore, ku do kryhet njoftimi.
Së treti, Gjykata e Tiranës ka konstatuar se paditësja nuk ka paguar tarifë gjyqësore dhe në kërkesë-padi nuk janë parashtruar qartë rrethanat e faktit dhe faktet që kërkohen të provohen në këtë gjykim.
“Së fundmi, rezulton se aktet provuese bashkëngjitur padisë, përfshirë vendimin nr. 120 datë 01.05.2026 “Për shqyrtimin dhe miratimin e kandidaturave për kryetar të PDSH-së” I Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, janë fotokopje, jo të njëhsuara me origjinalin ose origjinale dhe rrjedhimisht jo në formën e kërkuar nga ligji”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj, dy kandidatët formalë që u regjistruan për të garuar përballë Sali Berishës e për t’i marrë fronin e Partisë Demokratike, janë skualifikuar më datë 1 Maj nga Komisioni për Operacionet Elektorale në PD.
Tani, Sali Berisha mbetet i vetëm në të ashtuquajturën “garë” për drejtimin e partisë më të madhe opozitare.
Kandidaturat i kanë dorëzuar edhe Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu, por janë përballur me refuzim sepse veç afatit rekord 24 orësh për të dorëzuar kandidaturat, kur kanë shkuar në seli janë ndeshur vetëm me rojen.