Connect with us

Aktualitet

Numërimi nga Jugu në Veri…Rezultatet minutë pas minute

TIRANË– Partia Socialiste është drejt marrjes së një fitoreje të thellë në pjesën më të madhe të Bashkive në vend. Koalicioni Bashkë Fitojmë ka arritur që të marrë fitore në vetëm 5 bashki  (Himarë, Pukë, Mirditë, Libohovë, Has) ndërsa në Finiq kryeson Romeo Çakuli i partisë minoritare MEGA. Dyshja Berisha-Meta nuk arritën që të fitonin as në vendet e tyre të lindjes, në Tropojë dhe Skrapar, bashki këto të “veshura rozë”. Deri tani, PS prin në 55 bashki. E ndërsa Partia Demorkatike zyrtare është forcë e tretë në 14 Bashkitë ku ka pasur kandidat.

Në Bashkinë Gjirokastër janë numëruar deri më tani 25 nga 67 kuti në total. Kandidati i Partisë Socialiste Flamur Golemi udhëheq me 76.47 %, ndërsa Dorjan Lani i ‘Bashkë Fitojmë’ vetëm me 23.53 %.

Në bashkinë Memaliaj, kandidati i dyshes Berisha-Meta, Albert Malaj është shpallur fitues me 52.75 %, ndërsa Gjolek Guci i PS-së ka marrë vetëm 47.25 %.

Në Bashkinë Dropull ka përfunduar numërimi dhe fitues është shpallur Dhimitraq Toli me 81.25% i Partisë Socialiste, ndërkohë që rivali i tij më i afërt Thanas Maneka i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ ka marrë 14.87% të votave, ndërsa Kosta Garo nga Nisma Thurje ka marrë vetëm 3.88% të votave.

Në Bashkinë Përmet janë numëruar deri më tani 21 QV ka 23 gjithsej dhe udhëheq bindshëm Alma Hoxha e PS me 76.56 %, ndërsa rivali i saj Edmond Komino është më 23.44 %.

Në bashkinë e Tepelenës ka përfunduar numërimi. Kandidati socialist Tërmet Peçi ka fituar me 82.67 %. Rivali tij Baftjar Imeri i BF ka fituar me 10.33 %, ndërsa Partia Demokratike ka fituar vetëm 7.00 %.

Në Bashkinë Këlcyrë janë numëruar 16 nga 17 kuti dhe me vetëm një këti mund të themi që PS po shkon drejt fitores së sigurt me kandidatin Klement Ndoni me 49.48%. Rivali Arjan Kasaj i BF me 47.1%. Është shumë e vështirë që një kuti të rrëzojë diferencën. Ndërkohë që në këtë bashki është edhe kandidati i PD Adriatik Spahiu, i cili nuk ka marrë më shumë se 3.4%.

Në Bashkinë Libohovë duket se fitues mund të jetë kandidati i opozitës Adil Xhelili, nën logon e ‘Bashkë Fitojmë’. Ai udhëheq me 54.19% të votave kur janë numëruar 7 nga 9 qendra votimi. Kandidati socialist shkon 45.8%.

Në Bashkinë e Durrës është pasqyruar rezultati i 190 kutive nga 342 gjithsej. Kandidatja socialiste Emirjana Sako kryeson me 56.49% të votave përkundrejt 43.51% të votave të rivalit të saj  Igli Cara, kandidat i ‘Bashkë Fitojmë’. Diferenca mes tyre është mbi 6100 vota.

Në Bashkinë e Shijakut janë numëruar 33 nga 54 kuti dhe deri më tani kryeson kandidati socialist Elton Arbana me 69.74 % të votave. Ndërsa rivali i tij i BF Rezart Tusha është në kuotat e 30.26 %.

Në Bashkinë e Krujës ku garojnë socialisti Artur Bushi dhe kandidati i Bashkë Fitojmë Agron Loka janë numëruar deri tani 30 kuti nga 92 që janë gjithsej. Bushi i PS kryeson bindshëm me 65.56 %, ndërsa Loka me 34.44 %.

Në Bashkinë e Korçës ka përfunduar numërimi. Kryeson bindshëm kandidati socialist Sotiraq Filo, i cili merr mandatin e tretë me 20966 vota përkundrejt 13631 votave të kandidates së Bashkë Fitojmë, Ledina Alolli.

ë Bashkinë e Pustecit tashmë nuk ka histori. Partia Socialiste ka arritur ta marrë edhe këtë bashki. Nga 8 kuti në total, deri më tani janë numëruar 7. Sipas rezultateve paraprake nga KQZ, kandidati i PS, Pali Kolefski ka marrë rreth 64%, ndërsa kandidati i PD, Pandi Jani 36%.

Ndërkohë që në Bashkinë e Devollit ka përfunduar numërimi, ku kandidati i PS Eduard Duro kryeson me 8376 vota, ndërsa Elvis Hajdërlli i BF me 8011 vota. Kandidati i pavarur Çlirim Hoxha ka marrë 81 vota.

“Çdo garë ka emocionet e veta. Kjo ka qenë gara më e bukur e jetës time, edhe pse më e vështira. Alibia e rivalëve ishte se morëm bashki të falur por dita e sotme tregon se populli i Devollit na beson dhe ajo bashki nuk ishte e falur. Sot nuk kam fituar unë, ka fituar Devolli. Jam kryetar për të gjithë e do punoj me të gjithë”, tha Duro.

Në Bashkinë e Kolonjës ka fituar kandidati i Partisë Socialiste Erion Isai me rezultat të thellë, 64.28% të votave, ndërsa rivali i tij Ethem Lumani 35.72%. Isai merr një mandat të dytë.

Në Bashkinë e Pogradec janë numëruar 50 kuti nga 106 dhe kryeson kandidati socialit Ilir Xhakolli gëzon 65.11% të votave, ndërsa rivali i tij Zini Tollozhina me vetëm 32.64%. Në garë është edhe një kandidat i forcës Lëvizja e Re, Rezart Laraku, i cili ka marrë 2.25%

Edhe Bashkinë e Maliqit kryeson kandidati socialist Gezim Topçiu i cili merr një tjetër mandat sipas këtij rezultati. Ai merr 66.75% të votave kur janë numëruar vetëm 57 kuti nga 76. Kandidati i BF, Alfred Gega, merr 33.25% të votave.

Kandidati i Partisë Socialiste, kryebashkiaku aktual Ervin Demo udhëheq bindshëm me 63.15 % të votave ndërkohë që rivali i Bashkë Fitojmë Zija Ismaili është 36.85%.

Në Bashkinë Poliçan votimi ka ecur me shpejtësi dhe deri më tani janë numëruar 20 nga 22 qendra votimi. Sipas rezultateve kandidati i PS, Adriatik Zotkaj ka marrë deri më tani 78.4%. të votave duke e ‘hipotekuar’ edhe një mandat tjetër. Sakaq, ndiqet nga kandidati i PD, Florian Qama, është rreth 12% të votave ndërsa i fundit është kandidati i Bashkë Fitojmë, Behar Xhaferraj me 9.6%.

Nëse Partia Demokratike do të ishte e bashkuar, opozita do të kishte fituar në Kuçovë. Lefter Maliqi ka marrë 5625 vota e ndërsa Ilirjan Koxhaj i PD ka marrë 612. Pra nëse do ishin bashkë opozita do numëronte 6237 vota. Mirëpo në kushtet kur janë të ndarë, kandidati socialist prin me 5804 vota.

Në Bashkinë Dimal janë 3 kandidatët, por nuk ka rivalitet për fitoren. Teksa janë numëruar 25 nga 49 kuti Juliana Memaj e PS kryeson me 48.54 % të votave teksa dy kandidatët e tjerë ndajnë gjysmën tjetër të votave. Dritan Sula i PD me 35.33 % dhe Gentian Meçi i BF me 16.13 %.

Ilir Meta nuk ka arritur që të fitojë as në qytetin e tij. Adriatik Mema i PS ka marrë një fitore në Skrapar. Ai ka marrë 3456 vota e ndërsa Euglen Mustafallari 2733 vota, pra një diferencë me 723 vota.

Në Bashkinë Kukës është kandidati socialit Safet Gjici që vijon të udhëheqë teksa janë numëruar 30 nga 73 kuti. Ai ka marrë deri më tani 48.42% të votave përkundrejt 42.01% të rivalit të tij kryesor Admir Sinamatit të ‘Bashkë Fitojmë’. Në këtë bashki garon edhe Abedin Oruçi i PEISH, i cili ka marrë 9.57%.

Në Bashkinë e Tropojës vijon surpriza e madhe. Janë numëruar 38 kutitë dhe kandidati socialist Rexhë Byberi merr fitoren me 51.25%  ndërkohë që rivali i tij i ‘Bashkë Fitojmë’ Besnik Fushaj mori 48.75%.

Në Bashkinë e Hasit është kandidati i Bashkë Fitojmë Miftar Dauti që merr fitoren me 4400 të votave përballë kandidatit socialist Beqir Mulaj, i cili ka marrë 3488 të votave.

Në Bashkinë e Lezhës janë numëruar 106 nga 126 kuti votimi në total dhe kryeson kandidati i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu me 53.36 % të votave, ndërkohë që kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ Pashk Gjoni ndjek me rezultat të ngushtë me 46.64 % të votave.

Në Mirditë ka përfunduar numërimi i 48 kutive. Kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ Albert Mëlyshi’ ka fituar me 55.19 % të votave. Ndërsa Ndrec Dedaj i Partisë Socialiste ka marrë 44.81 %.

Nga Bashkia e Kurbinit janë numëruar 17 nga 74 kuti kryeson kandidatja socialiste, kryebashkiakja aktuale, Maljinda Cara me 55.93% të votave përkundrejt 44.07% të kandidatit të opozitës Behar Haxhiu.

Në Qarkun e Elbasanit kemi bashkinë qendër të qarkut, atë të Elbasanit e cila është e konfirmuar që mbetet në duart e socialistëve, me Gledjan Llatjan. Nga 216 kuti nga 224 gjithsej ku rezultati është pasqyruar Llatja ka marrë 56.06% të votave përkundrejt 43.94% të rivalit të tij Luçiano Boçi.

Ndërkohë që në Bashkinë Peqin mori fitoren socialisti, Bukurosh Maçi përballë përfaqësuesit të opozitës Mustafa Pashja. Maçi është në kuotat e 57.78% të votave përkundrejt 42.22% të rivalit Pashja.

Në Bashkinë Përrenjas Nuri Belba i PS kryeson me 62.69% të votave, teksa Suzana Topi e ‘Bashkë Fitojmë’ me 37.31% të besimit të qytetarëve.

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Belsh, ku kandidati socialist Arif Tafani ka marrë 4536 vota krahasuar me Bedri Qypin e “Bashkë Fitojmë”, i cili ka marrë 4495 vota, pra ose një diferencë me 41 votash. E njëjta panoramë është paraqitur edhe në Librazhd. Socialistët kanë fituar Bashkinë, por në këtë rast me një fitore mjaft të thellë. Mariglen Disha është shpallur fitues me 10364 vota se 74.45% e ndërsa Shefki Çota nga “Bashkë Fitojmë” 3557 ose 25.55%.

Në Cërrik avantazhi i kandidatit socialist është edhe më i madh. Andis Salla merr 70.66% të votave teksa janë numëruar 50 nga 58 kuti votimi. Rivali i tij Servet Duzha është në kuotat e 29.34% të votave.

PS nuk e ka diskutuar fitoren në Gramsh. Besion Ajazi ka fituar me 6263 vota e ndërsa Hasim Çekrezii “Bashkë Fitojmë”, 5629 vota. E thënë ndryshe PS ka marrë një fitore me 52.67 % e ndërsa BF me 47.33 %.

Partia Socialiste ka fituar thellë në Kamëz, me Rakip Sulin që ka marrë 60.36 përqind të votave, ndërkohë që kandidati I Berishës ka marrë vetëm 35.32 % të votave.  Kandidati i PD Bilbil Bajraktari ka marrë vetëm 4.3%.

Edhe në Vorë socialistët kanë marrë një rezultat spektakolar. Janë numëruar 44 nga 44 kuti dhe Blerim Shera ka marrë 73.5 %të votave ndërsa Indrit Hoxha vetëm 26.5 përqind.

Në Bashkinë Tiranë nga 941 qendra votimi në total, deri më tani janë numëruar 384 prej tyre. Kandidati i PS, Erion Veliaj po shkon drejt fitores i sigurt me 54.24% (84713 vota). Sakaq, kandidati i koalicionit “BF”, Belind Këlliçi ndjek në vendin e dytë me 34.98% (54639), pra rreth 30 mijë vota diferencë. Më tej kandidatët e partive të tjera, më konkretisht Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë ka marrë deri tani 4.77% të votave. Roland Bejko i PD-së me 4.31%. Nga ana tjetër Lajla Përnaska e PDIU me 0.76%, ndërsa Marko Dajti i Frontit të Majtë ka 0.94%.

Edhe në Bashkinë Kavajë vijon procesi i numërimit. Në rezultatin e 21 kutive të para nga 92 që ka përballë Fisnik Qosja i ‘Bashkë Fitojmë’ merr vetëm 47.77% përballë 52.23% të Redjan Kralit të PS.

Në Bashkinë Rrogozhinë ka përfunduar numërimi dhe kryeson Edison Memolla me 50.11% dhe kandidati i BF Shkëlqim Hoxha merr 49.89%. Diferenca është e ngushtë me vetëm 23 vota.

Në Bashkinë Vlorë janë hapur 189 kuti dhe kandidati socialist Ermal Dredha kryeson me një përqindje mbi 70.573% përballë rivalit të tij të ‘BF’ Hysni Sharra, i cili ka marrë vetëm 29.43%.

Në Bashkinë Himarës e cila është në qendër të vëmendjes pas arrestimit të kandidatit Fredi Beleri, ka mbetur vetëm një kuti për t’u numëruar! Kur janë numëruar 35 nga 36 kuti në total, Fredi Belkeri i BF-së është në avantazh me 24 vota para kundrejt Jorgo Goros.

Në Selenicë janë numëruar kutitë dhe kryeson me 5200 vota socialisti Nertil Ballaj ndërkohë që rivali i tij i BF Leonard Rakipaj merr vetëm 3500 vota.

Në Bashkinë Sarandë janë 4 kandidatë, ndërsa numërimi ka përfunduar. Fitues është shpallur kandidati i PS-së Oltion Çaçi.

Në Bashkinë Finiq janë numëruar 32 nga 50 kuti dhe kjo është e vetmja bashki ku deri më tani kryeson një kandidat i një force tjetër politike përveç PS dhe BF. Romeo Çakuli i partisë minoritare MEGA me 41.18% është i pari, i ndjekur nga kandidati i BF Leonidha Hristo me 29,48%. Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike Leonidha Papa merr 29.355% të votave.

Në Bashkinë Delvinë janë numëruar 21 nga 22 kuti dhe kandidati i mazhorancës Besmir Veli është zyrtarisht fitues me 62.61%, përballë kandidatit të BF Ilir Mehmeti me 37.39%.

Në Bashkinë Konispol kryeson kandidati i PS Erges Dule me 52.70%, i cili mund kështu kandidatin e Bashkë Fitojmë Fatmir Shero me 47.30%.

Edhe nëse dy PD-të do të ishin Bashkë, nuk do të merrnin as Dibrën. Kandidati socialist Rrahim Spahiu ka një diferencë të thellë krahasuar me 2 kandidatët opozitar Ismail Uka nga Bashkë Fitojmë dhe Naim Gazidede nga PD. PS ka marrë 7485 vota e ndërsa PD 642 vota, ndërsa “Bashkë Fitojmë” 2759 vota duke dalë forcë e tretë.

Në Mat, PS është shkëputur bindshëm nga Koalicioni “Bashë Fitojmë”. Agron Malaj ka marrë 7048 vota krahasuar me Skënder Gjuzin i cili ka marrë 3665 vota.

Në Bulqizë, Festime Mjeshtri ka fituar bindshëm përballë Dëfrim Fikut nga Koalicioni Bashkë Fitojmë. Ajo ka marrë 8364 e ndërsa kundërshtari i saj, 5514 vota.

Në Klos kanë mbetur edhe 3 kuti pa numëruar dhe kryeson Valbona Koka e PS me 55.61% krahasuar me 44.39% nga Bedri Hoxha.

Në Bashkinë e Fierit kandidati socialist është me diferencë shumë të madhe me rivalët. Armando Subashi merr 69.73 % të votave, ndërkohë që ka një tjetër rezultat shumë interesant. Kur janë numëruar 116 nga 224 qendra votimi rreth 30% e votave ndahen mes dy kandidatëve të së djathtës, me kandidatin e Berishës, Evdar Kodheli që merr 19.16% të votave dhe që lë mbrapa kandidaten e Alibeajt, Eriselda Çelaj me 11.11 % të votave.

Në Lushnjë procesi i numërimit ka ecur mirë. Nga 156 kuti në total, deri më tani janë numëruar 121 dhe sipas rezultateve kandidatja e PS, Eriselda Sefa merr 62.95 % të votave. Ndërkohë kandidati i Bashkë Fitojmë, Eduart Sharka 37.05%.

Në Bashkinë Roskovec janë numëruar 31 nga 39 qendra votimi dhe gara është shumë e ngushtë. Kandidatja e Partisë Socialiste Majlinda Bufi kryeson me 53.20 % përkundrejt 46.80 % të votave të rivalit të saj të Bashkë Fitojmë Erdit Hazizaj.

Në Mallakastër, e cila mendohet se do të ishte një bashki me rivalitet, kur janë numëruar 23 nga 50 kuti kandidati i PS Qerim Ismailaj kryeson me 51.03 % të votave përkundrejt 42.65 % të rivalit kryesor Agron Kapllanaj i Partisë Demokratike. Ndërkohë që kandidati i koalicionit Berisha-Meta Resmi Shanaj merr vetëm 6.31 %.

Edhe në Bashkinë Divjakë kryeson PS. Kur janë numëruar 24 nga 67 kuti, Josif Gorra i PS kryeson me 55.19 % të votave përballë Aurela Malkos të Bashkë Fitojmë me 44.81 %.

Në Bashkinë Patos janë numëruar 37 nga 48 qendra votimi në total. Fation Duro i PS vijon i pacënuar drejt fitores me 69.42 %, ndërkohë që Sofije Alushaj i ‘Bashkë Fitojmë’ është e dyta me vetëm 24.11 %. Ndërsa kandidatja e PD Pranvera Rizaj vetëm 6.47 %.

Partia Socialiste po merr një nga bastionet historikisht të djathta. Benet Beci prin me 16829 vota, një diference me gati 500 votash nga Bardh Spahia.

Partia Socialiste nuk diskuton fitoren në Malësinë e Madhe. Tonin Marina prin me gati 1000 vota diferencë. Më konkretisht ai numëron 3193 vota në krahasim me kundërshtarin e tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Isa Ramaj. Ai numëron 2187 vota.

Puka është një ndër Bashkitë që ia ka dalë “Bashkë Fitojmë” të fitojë me kandidatin Rrok Dodaj. Ai numëron 3480 vota e ndërsa Gjon Gjonaj i socialistëve ka 2507 vota.

Në Vaun e Dejës edhe nëse PD do të ishte e bashkuar sërish nuk do të munde kandidatin socialit, Kristian Shkreli. AI ka arritur që të shkëputet thellë nga 2 kundërshtarët e tij, Klomentina Drini e PD-së zyrtare dhe Zef Hila nga “Bashkë Fitojmë”. Të dy bashkë kanë arritur të mbledhin 2821 vota e ndërsa Shkreli 3587.

Aktualitet

Miliona litra vaj gjembaçi indian hyjnë në Shqipëri, dyshime se shitet në supermarkete si vaj luledielli me çmim më të lirë

Emisioni investigativ Vetting në News24

Çdo vit në Shqipëri importohen miliona litra vaji vegjetal. Kërkesat e vazhdueshme që ka konsumatori shqiptar për vaj gatimi, e kanë kthyer këtë sektor në një ndër bizneset më fitimprurëse, duke sjellë edhe abuzime. Nga kërkimet e “Vetting” zbulohen afera me vajin që përdoret për gatim, ku në vitin 2020 janë importuar sasi të mëdha vaj gjembaçi me vlerë 37 milionë euro, për të cilat Autoriteti Kombëtar të Ushqimit mohon ekzistencën.
Por nëse në supermarketet shqiptare nuk ka asnjë lloj vaji që tregohet si vaj gjembaçi, atëherë pyetja që lind këtu është: Ku ka shkuar ajo sasi e importuar? A iu është ndryshuar etiketa dhe shitet si një vaj tjetër?

Sipas ekspertëve ushqimorë, është përgjegjësia e institucioneve që të monitorojnë këto situata.

“Ka shumë situata që institucionet përkatëse të kenë kontroll në survejim produktet në sasi të mëdha, vaji, sheqeri, pra këto që janë produktet bazë, këto duhet të kontrollohen sepse konsumi i tyre është i lartë dhe rreziku për t’u ekspozuar popullata është e lartë në krahasim me të tjera produkte të cilat janë konsum, por në sasi më të vogla”, tha për “Vetting”, Prof. Dritan Topi.

 

 

Nga kërkimet e “Vetting” evidentohet se në Shqipëri janë importuar rreth 34 milionë litra vaj me kod doganor 15121199. Sipas nomenklaturës së mallrave doganore për vitin 2020, ky vaj rezulton të jetë vaj gjembaçi indian, i njohur me emrin latinisht “Sunflower Carthamus tinctorius”.

Cilësia e vajit dhe ekzistenca e tij kanë vendosur përballë njëra-tjetrës Doganat dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Ky i fundit është munduar të mbulojë ekzistencën e këtij vaji, i cili më së shumti zbulohet nga anomalia e çmimeve që zbulohen nga Doganat.

“Nga pikëpamja sasiore nuk mund ta zëvendësojë, nga pikëpamja nutricionale nuk bën sens që ky produkt me cilësi më të mira, me çmim më të ulët të mund të zëvendësojë produktin me cilësi nutricionale më të ulëta dhe të gjejë vlerë në treg”, u shpreh eksperti ushqimor Topi.

Por informacionet zyrtare nga Doganat konfirmohen nga Organizatat Jofitimprurëse dhe ekspertët ushqimorë.

“Në fakt është e njëjta histori me ata çfarë unë kam investiguar para dy vjetësh, me një informacion që kisha dhe sigurisht shifrat janë alarmante. Kjo që thoni ju, përfshirë atë që unë kisha në atë kohë, është alarmante krahasuar me shifrat e vajit të lulediellit që hyjnë në Shqipëri, i rafinuar apo i parafinuar që përpunohet e shpërndahet në tregun tonë”, tha Drejtori Ekzekutiv nga Qendra Alert, Granit Sokolaj.

Sipas Sokolajt, ka një tendencë ose mashtrim të konsumatorëve për shkak të kostos së tij më të lirë se vaji i lulediellit, sidomos që nga koha e pandemisë dhe konflikti në Ukrainë.

Continue Reading

Aktualitet

Sekuestrohen 2 ton drogë në Spanjë, u soll në Evropë nga karteli famëkeq i Meksikës

Policia spanjolle njoftoi këtë të enjte se ka sekuestruar mbi 1.8 ton metamfetaminë.

Mediat vendasë bëjnë me dije se sasinë e metamfetaminës ka tentuar ta kontrabandojë në Evropë një nga kartelet më të rrezikshme të Meksikës, karteli Sinaloa.

Në saj të këtij opercioni nga policia sapnjolle, autoritetet arrestuan pesë persona, përfshirë kreun meksikan të bandës, një grua rumune dhe tre shtetas spanjollë.

Droga u zbulua në rajonin Alicante të Spanjës lindore. Ky është “konfiskimi më i madh” i kësaj substance “në Spanjë dhe i dyti më i rëndësishëm në Europë”, njoftoi policia spanjolle.

Mes personave të arrestuar është një shtetas meksikan, për të cilin autoritetet meksikane thonë se është i lidhur me kartelin Sinaloa. Meksikani, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte përgjegjës për marrjen e drogës në Spanjë dhe më pas shpërndarjen e saj në Evropë.

Karteli Sinaloa është një nga organizatat kriminale më të vjetra, më të mëdha dhe më të dhunshme të Meksikës, ndikimi i së cilës mbetet i fortë pavarësisht nga arrestimi i themeluesit të tij Joaquin Guzman, “El Chapo” dhe të Ovido në janar të 2023.

Të dyja u ekstraduan dhe u burgosën në SHBA. Policia sekuestroi gjithashtu kartëmonedha, pesë makina, dokumente dhe një armë zjarri, ndërsa mësohet se droga e sekuestruar vinte nga Meksika dhe kishte si destinacion Evropën Qendrore.

Continue Reading

Aktualitet

Kina partnere, por jo strategjike: Si i preu Shqipëria “fijet” e Pekinit në sektorët e ndjeshëm

Kina ngel një partner kyç për Shqipërinë në termat ekonomikë, kryesisht për sasinë e mallrave të saj që shiten në tregun tonë. Megjithëkëtë, politika shqiptare është treguar e kujdesshme të mbajë larg kompanitë kineze nga investimet në sektorë strategjikë. Pasi u larguan nga aeroporti i Rinasit, kinezët janë ende të pranishëm në sektorë si hidrokarburet dhe mineralet. Tirana zyrtare ju ka mbyllur disa herë derën tentativave kineze për të depërtuar në sektorë të ndjeshëm, dhe në anën tjetër Shqipëria ka ulur përfaqësimin në iniciativa politike të udhëhequra nga Pekini.  

Nga Esiona Konomi 

Kina është një partner i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë, duke ruajtur ndër vitet vendin e dytë ose të tretë për shkëmbimet tregëtare.

Të fundit!

INSTAT dëshmon përmes shifrave, se pavarësisht kësaj rëndësie, flukset tregëtare bazohen mbi produktet kineze që vijnë e shiten në Shqipëri, me një diferencë 10 herë më të ulët të prodhimeve shqiptare që mund të shiten në Kinë.

Pra, ne importojmë 10 herë më shumë, se sa eskportojmë në Kinë, një raport ky që konfirmohet në shifrat zyrtare gjatë 5 viteve të fundit.

Shkëmbimet tregtare me Kinën zënë 8.5 % të të gjithë vëllimit të tregtisë së jashtme të Shqipërisë.

Importet dominohen nga pajisjet elektrike, hidrosanitarë, makineri. Për tu pasuar nga  artikujt të gizës dhe çelikut. Veshjet janë kategoria e 3-të më e rëndësishme e mallrave që vijnë nga Kina, për të vazhduar me plastikën dhe mobiljet kineze, si: krevatët, dyshekët, llampat dhe pajisjet e ndriçimit etj. Eksportet Shqiptare në Kinë dominohen nga kromi, por nuk përjashtohen edhe frutat dhe perimet.

Tabela: Shkëmbimet tregëtare me Kinën (milionë lekë)

Burimi: Instat

Viti 2019 2020 2021 2022 2023
Eksporte 6,211 5,003 9,058 9,813 10,074
Importe 59,727 54,038 65,202 77,476 93,750

 

Çfarë eksportojmë në Kinë?

Krom

Fruta-perime

Çfarë importojmë nga Kina?                                 

Pajisje elektrike, hidrosanitarë, makineri

Gizë dhe çelik

Veshje

Plastikë

Mobilje

INVESTIMET KINEZE

Pavarësisht se Kina ngel një partner strategjik për ekonominë dhe tregjet tona janë të mbushura me produkte të saj, qeveria shqiptare nuk e ka Pekinin një aleat të preferuar, aq më pak në sektorë strategjikë.

AEROPORTI

E orientuar nga balancat politike, Shqipëria është distancuar nga aleancat e diplomacisë ekonomike kineze, duke dhënë shenjën e parë në vitin 2020 kur largoi nga pika më strategjike, aeroporti i vetëm i vendit, investitorin kinez.

Në vitin 2016, REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED një kompani kineze – bleu 100 për qind të aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. Marrëveshja u prish në 2020 kur kinezët ja transferuan aksionet grupit shqiptar Kastrati që ende menaxhon Aeroportin e Rinasit. Aksionet kishin vlerë 71 milionë euro.

Problemet nisën pas grabitjes spektakolare të 10 milionë eurove në Rinas në prill 2019, gjë që për kryeministrit ishte provë se kinezët kishin dështuar me sigurinë.

“Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi njësoj si në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s’do pranojë asnjë justifikim nga kompania dhe do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme.Respekt për policinë që sulmohet veshëgjatësisht”,-tha Edi Rama, prill 2019.

Por a ishte vërtetë kjo arsye apo pretekst?

‘Vjedhja në Rinas ishte një ngjarje mjaftueshmërisht e fortë për të tu përdorur për një qëllim që nuk lidhej me atë që ndodhi në vetvete. Po ngjarja ishte e madhe dhe krijoi të gjitha premisat që qeveria ta largonte koncesionarin kinez. Por nuk ishte kjo arsyeja e vërtetë. E vërteta është se kinezët, duke pasur aeroportin, kishin në dorë një aset strategjik jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të NATO-s. Pra vjedhja ka qenë justifikim. Partnerët patën një udhëzim, presion, që ky aerport i NATO-s tashmë, të menaxhohet nga një kompani lokale ose kompani e një vendi partner, por jo nga një kompani kineze’,-vlerëson Pano Soko, ekspert ekonomie.

RRJETI 5G

Në fund të vitit 2019, Shqipëria hoqi dorë edhe nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me Kinën për rrjetin e internetit 5G. SHBA-të u shfaqën të shqetësuara mbi rrezikun e mbikqyrjes nga Kina në jetën digjitale të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje, më pas, u firmos me Amerikën, moment kyç ky për të dëshmuar zgjedhjet e Shqipërisë.

“Zgjedhja politike e Shqipërisë ndaj Kinës, ka sjellë edhe kosto për shoqërinë shqiptare, dhe rrjeti 5G ka qenë një prej sakrificave. Sot ne nuk e marrim dot këtë teknologji, sepse e vetmja që e ofron është Kina. Tendenca jonë për të ruajtur devizën politike, ka qenë më e fortë se sa përfitimet që mund të merrnim. Këtu përfshihen edhe investimet potenciale kineze që mund të kishim pasur në hekurudha, rrugë, etj. Shqipëria ka qëndruar besnike e linjës për të mos qenë në varësi, sepse varësia ekonomike, sjell varësi politike. Ka një konsensus popullor për këtë zgjedhje dhe nuk shoh ndonjë reaksion të brendshëm, e as ndonjë tendencë nga vetë Kina së jashtmi për tu imponuar. Palët janë të qarta e nuk ka vend për avancim të mëtejshëm”,-argumenton Pano Soko.

BANKERS DHE BERALB

Megjithëkëtë, në Shqipëri vijojnë të jenë prezente dy investime të huaja kineze të përqëndruara në nxjerrjen e lëndëve të çmuara nga nëntoka.

Bankers Petroleum është investimi më i rëndësishëm kinez në Shqipëri. Kompania kineze Geo-Jade Petroleum bleu 100% të aksioneve të kompanisë Bankers në 2016. Dhe prej 7 vitesh shfrytëzon fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.

Zyrtarisht, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore tregon se numri i punonjësve të Bankers gjatë 2023 ishte 463 vendas dhe 32 të huaj. Prodhimi i naftës dhe nënprodukteve të saj gjate vitit 2023 u llogarit përafërisht 527,000 tonë. Renta minerare për 2023 u vlerësua rreth 22 milion USD.

Marrëveshja e shfrytëzimit të nëntokës sonë në Patoz Marinzë nga kompania kineze përfundon në vitin 2029.

Në 2014, gjiganti kinez i bakrit “Jiangxi Koper” nisi operimin në të gjitha vendburimet e bakrit në Shqipëri, pasi bleu 50% aksionet nga kompania turke “Beralb”.  Deri në 2043, kinezët do operojnë bashkë me turqit koncensionin e bakrit në minierat e Munellës, Lakrosh, Karma si dhe Fush-Arrëz.

E pyetur për performancën e kësaj kompanie, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore thotë se, sipas vetdeklarimeve të subjektit, numri i të punësuarve në lejet minerare që zotëron shoqëria është 196 persona.

Sasia e mineralit të bakrit e prodhuar për vitin 2023 është 275 190 ton.

Por pavarësisht kësaj, siç thuhet zyrtarisht nga AKBN, renta minerare që ajo paguan, është zero.

Por çfarë rëndësie specifike kanë këto dy kompani në sferën ekonomike të vendit?

“Sot që flasim, volumi ekonomik i gjeneruar nga kompanitë kineze është i rëndësishëm, 0.4-0.7 %  e PPB. Kryesori është Bankersi, i zotëruar nga një kompani shtetërore kineze. Edhe pse sektori i naftës është strategjik, risku ngel i ulët, pasi pjesa tjetër e zinxhirit kontrollohet nga shteti shqiptar dhe ligjet e tij. Kompanitë në fjalë kanë fare pak autonomi. Kjo autonomi e kushtëzuare na mbron nga sabotimet që mund të vijnë nga një partner jo partner politik. Varësia e ekonomisë shqiptare nga investimet kineze është shumë e ulët. Ndoshta jemi vendi me impaktin më të vogël në rajon. Ne si shtet jemi kujdesur që të kemi politikë konservatore. Nuk e shoh me risk edhe nuk shoh as interes nga Kina për tu zgjeruar në Shqipëri. E ka kuptuar devizën tonë politike. Cdo qeveri do të vijojë ta ruajë këtë qasje,”-sqaron eksperti Pano Soko.

ANALIZA GJEO-POLITIKE

Në përfundim, edhe pse Kina na intereson për produktet e saj, politika shqiptare ka zbehur shkëmbimet dhe ka ulur përfaqësimin në aleanca të inicuara nga Pekini, duke zgjedhur qartazi aksin amerikan, në duelin ekonomik botëror: Kine-SHBA.

“Nuk është se kemi pasur marrëdhënie të forta ekonomike. Dinamika ka qenë me antitudë të ulët. Sidomos nga koha kur ne instaluam marrëdhënien me NATO-n. Kemi pasur cikle të shkurtra, por pa ndonjë impakt domethënës. Nuk pres që kjo të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Investimet kineze do të ishin të rrezikshme, nëse do të ishin aq shumë të mëdha sa për të krijuar presion për të ndikuar në politikën, sidomos të jashtme. Misioni i Kinës është të blejë politikën e jashtme të vendeve duke u krijuar varësi ekonomike. Në Shqipëri investimet kineze nuk janë aq të mëdha sa të na kushtëzojnë në politikën ndërkombëtare, apo në të brendshmen, pse jo”,-përfundon vlerësimin e tij eksperti Pano Soko.

 

Continue Reading

Aktualitet

Peshkaqenët e kredive – Nga Ola Xama

Nuk ka asnjë vlerë sqarimi se sa ishin kreditë me probleme në vitin 2014 dhe sa u ulën. Nuk ka asnjë vlerë të sqarohen masat që u morrën dhe nuk ka asnjë vlerë të shitet për sukses ulja e përqindjes të kredive me probleme.
Pyetja kryesore që shtrohet në këtë mes është se kush fitoi dhe kush humbi nga Plani Kombëtar për Reduktimin e Kredive me Probleme? Nga të dhënat e disponueshme deri në vitin 2020, dimë që bankat e nivelit të dytë i shitën Micro Credit Albania 85 milion euro detyrime, dhe për këtë shumë u paguan 5.2 milion euro. Pra bankat rikuperuan vetëm 6.1% të detyrimeve, shumë që krahasuar me nivelin e fitimeve të tyre ( e pjesëtuar me 16 që ishte numri i bankave në atë vit) është e papërfillshme.

Bankat gjithashtu mbajnë normë më të lartë interesi për kreditë pa kolateral, pikërisht për shkak të riskut që llogaritin te këto produkte. Efekti i humbjes nga kreditë që nuk kthehen, shpërndahet te ato që performojnë mirë dhe për sa kohë sistemi ka patur fiteme, niveli i kredive të këqija nuk ka qënë problem.
Kreditë mund të fshiheshin nga bilanci dhe pa licensuar kompanitë e mbledhjes së borxhit, sepse bankat në vetvete nuk rikuperuan shumë pak. Disa rritën kapitalin dhe s’ folën, pasi askush nuk dëshironte të hapte temën e korrupsionit të kredive.

Prandaj pyetja që duhet të ngrihet është se kush fitoi nga Plani i Masave? Pa dyshim që fituesit do dilnin kompanitë e mbledhjes së borxhit. Deri në vitin 2020, rezulton se vetëm subjekti MCA ka patur një fitim operativ 10.7 milion euro për portofole kredish të blera me çmimin 5.2 milion euro.

Pra rrezikun e ka marrë tjetër kush, humbjet i ka paguar banka dhe klientët e rregullt te amortizimi që i është bërë riskut te norma e interesit, dhe fitimet i merr një subjekt tjetër. A e shpjegon dot kush këtu logjikën financiare? Nëse jo, skema është ndërtuar për përfitime të një grupi njerzish, të cilët duke shfrytëzuar padijen dhe pafuqinë e qytetarëve kanë zhytur mijëra familje në varfëri!

Continue Reading

Aktualitet

Sa persona jetojnë në një kilometër katror? Shqipëria dhe Tirana, rekord në rajon

Në kryeqytetin shqiptar, në një kilometër katror jetojnë 562 persona. Në Tiranë, dendësia e popullsisë për kilometër është më se pesë herë më e lartë sesa mesatarja e vendit. Pas Tiranës, vjen Shkodra, me 251 banorë për kilometër katror. Më pak banorë ka Gjirokastra, me vetëm 21. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, kryeqyteti shqiptar ka dendësinë më të lartë të popullsisë, sipas të dhënave që bëhen publike nga Eurostat. Me diferencë të ngushtë është Beogradi i Serbisë (536), i ndjekur nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut (536).

Edhe si shtet, Shqipëria dominon në rajon, me 99 banorë për një kilometër katror. E dyta vjen Serbia me 90.5, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 73.7. Mali i Zi, i cili raportohet vetëm si shtet, ka një dendësi prej 45.6 banorësh për një kilometër katror, ndër më të ulëtat në Europë. Të dhënat për Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën mungojnë.

 

Ndonëse në rajon, Shqipëria dhe kryeqyteti kanë dendësinë më të madhe, sërish treguesi është shumë më i ulët se në vendet e tjera, sidomos kryeqytetet e mëdha. Rekordin e mban Parisi me 20.5 mijë banorë që jetojnë në një kilometër katror. Në qendër të Athinës, densiteti është 11.3 mijë, në Bruksel 7.7 mijë, në Vjenë gati 5 mijë. Në Romë ka 799 banorë për kilometër katror, në Madrid 855. Në Stamboll jetojnë rreth 3 mijë persona në një sipërfaqe prej një kilometër. Në rang vendi, Shqipëria renditet në vendin e 21, nga 37 shtete që raporton gjithsej Eurostat. Rekordin në Europë e mbajnë Malta (1693), Holanda (518), Belgjika (384), Mbretëria e Bashkuar (275) dhe në fund të listës është Islanda, ku gjen vetëm 3.8 banorë në një kilometër katror.

 

Në Tiranë rritet dendësia e popullsisë, në Shqipëri bie

Pas viteve ’90, kryeqyteti ka qenë një magnet për të tërhequr banorët që vinin nga rrethet. Tirana dhe Durrësi janë të vetmet që kanë shënuar emigracion të brendshëm, ndërsa qytetet e tjera kanë parë një rënie të vazhdueshme të popullsisë, për shkak të rënies së emigracionit dhe të lindjeve. Sipas Eurostat, në krahasim me vitin 2012, dendësia e Tiranës është rritur me 18%, ose me 84 banorë më shumë për një kilometër katror. Ndërkohë për gjithë vendin dendësia e popullsisë ka rënë me rreth 2% për të njëjtën periudhë.

Sipas Eurostat, dendësia e popullsisë në BE varion nga 18 në 1,693 njerëz për km². Dendësia e popullsisë, që do të thotë numri i njerëzve për kilometër katror (km²), ishte mesatarisht 109 persona për km² në BE në vitin 2022. Kjo vlerë ndryshonte ndjeshëm midis vendeve të BE-së. Dendësia më e lartë e popullsisë u vu re në Maltë (1 693 persona për km²), e ndjekur nga Holanda (518) dhe Belgjika (384). Nga ana tjetër Finlanda (18 persona për km²) dhe Suedia (26) kishin dendësinë më të ulët të popullsisë.

Krahasuar 2022 me 2002, ka pasur një rritje të densitetit të popullsisë në 18 nga vendet e BE-së, me rritjen më të madhe në Maltë (nga 1 255 në 1 693 persona për km²), Luksemburg (nga 173 në 253) dhe Belgjikë (341 në 384). Rumania (95 me 81) dhe Bullgaria (71 me 60) patën uljet më të mëdha. Mesatarisht në BE, dendësia e popullsisë u rrit nga 105 persona për km² në 109 gjatë kësaj periudhe./ Monitor

Continue Reading
Advertisement

TRENDING