✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Operacionet vazhdojnë/ Nga Tirana në Dibër, 14 vatra zjarri mbeten aktive në vend

Situata e zjarreve mbetet problematike në disa zona të vendit, ndërsa 38 vatra janë raportuar vetëm gjatë së enjtes, sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes

Aktualisht janë në ndjekje 18 vatra, prej të cilave 14 aktive, dy në monitorim dhe dy nën kontroll.

Për përballimin e situatës janë angazhuar strukturat vendore dhe qendrore të Mbrojtjes Civile. Vetëm Forcat e Armatosura kanë në terren 309 efektivë, 22 mjete, një autobot, tri ambulanca, nëntë mjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

Në Tiranë, operacionet vijojnë në Dajt dhe në zonën Priskë e Madhe-Gurrë-Farkë-Lundër, me ndërhyrje nga toka dhe mbështetje ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Krujë, zjarri në lagjen Abaze është vendosur nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave operacionale dhe Forcave të Armatosura, të mbështetura nga një helikopter. Në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.

Situata më e rënduar mbetet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë përqendruar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 policë, 15 vullnetarë dhe nëntë punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura. Operacioni mbështetet edhe nga dy avionë Air Tractor.

Ndërhyrja ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të perimetrit pranë banesave dhe shmangien e rrezikut për djegien e tyre, ndërsa puna vazhdon në dy drejtime të tjera.

Në Përmet vijon lufta me flakët në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, në terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara. Në Moravë të Devollit, situata është vendosur nën kontroll.

Operacionet vijojnë gjithashtu në Trojë të Mirditës, ndërsa në Shkodër po punohet në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Vatra në Kryezi është nën kontroll.

Në Elbasan vijon ndërhyrja në Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës. Në Lugaxhi janë angazhuar edhe 30 vullnetarë, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Situata paraqitet më e mirë në Finiq, ku vatrat në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje

Advertisement