Politike
Opozita u shit shumë lirë/ Alibeaj tregon prapaskenat e pazarit: Fituesi i madh është Edi Rama
Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka kritikuar marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës për Rregulloren e re të Kuvendit, duke e cilësuar atë një pazar politik në favor të kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë televizive, Alibeaj tha se dakordësia mes PS dhe PD nuk lidhet me interesin publik, por me interesa të ngushta politike. Sipas tij, opozita ka pranuar të bashkojë votat me mazhorancën në këmbim të disa përfitimeve të vogla procedurale.
Ai deklaroi se ndryshimet në Rregullore forcojnë Komisionin e Nismës Qytetare dhe heqin mundësinë që drejtuesi i SPAK të raportojë në seancë plenare.
Alibeaj kritikoi edhe faktin që mazhoranca ruajti strukturën me 11 komisione parlamentare, ndërsa opozita, sipas tij, përfitoi vetëm rritjen e numrit të këshilltarëve dhe drejtimin e disa grupeve të miqësisë në Kuvend.
Sipas ish-deputetit demokrat, marrëveshja mes palëve rrezikon të kufizojë hapësirat për subjektet e reja politike dhe përfaqësimin e tyre në Parlament.
“Habia qëndron si mund të bashkosh votat me një njeri të tillë, të bëhesh pjesë e regjimit, të japësh kontributin tënd për ta zbukuruar portretin e nxirë të regjimit dhe Edi Ramës. Nuk bie dakord për reformën zgjedhore. Piketat janë hedhur. Mund të bëjnë një ndryshim në ligj duke e bërë të pamundur çfarëdo mundësie që subjekte të reja mund të kenë përfaqësim dhe të jenë pjesë e Parlamentit. S’jam dakord me Territorialen. Janë të tërhequr për të bashkuar votat dhe vullnetet, jo në interes publik. Interesi publik e ndan çfarë janë marrëveshje dhe pazare. Janë pazare. Për këtë të sotmen, pata mundësinë t’u hidhja një sy ndryshimeve në Rregullore. Është superfuqizuar Komisioni i Nismës qytetare, ai që drejton Xhafaj. E kanë hequr mundësinë që drejtuesi i SPAK-ut të raportojë në seancën plenare. PS ruajti përsëri ndarjen në 11 komisione, si në shtator. Cili është përfitimi i opozitës? Iu dha e drejta që të rrisin numrin e këshilltarëve nga 8 në 11, që të kryesojnë disa grupe miqësie në Parlament! Dhe kur penalizohen nga Niko me shokë t’u mbahet më pak pagë. U habita se si ka mundësi të shesësh veten kaq pak?! Fitorja e madhe ishte e Ramës”, tha Alibeaj
