Kosova
Opozitari në Kosovë: LVV me element neofashist, kërkon të destabilizojë Shqipërinë
Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Labinot Bislimi, tha se nuk e cilëson Lëvizjen Vetëvendosje si një forcë të ekstremit të majtë, por vlerësoi se ajo shfaq elementë të dukshëm të neofashizmit. Sipas tij, është e rëndësishme të bëhet dallimi mes ideologjisë së majtë dhe tipareve që, sipas tij, lidhen me neofashizmin.
“Vetëvendosja nuk është ekstrem i majtë, e kam thënë në shumë studio. VV është nisur me dy krahë. Fashizmi nuk është për progresin, është për kthim në jetën primitive, VV është i kësaj ane. Madje, edhe terminologjinë “oligark” nuk e përdor e majta, është term që përdoret nga fashistët. E majta nuk e përdor këtë terminologji. Duhet të definojmë ç’është e majta dhe fashizmi.
Bislimi u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje kërkon të destabilizojë Shqipërinë pasi në përbërjen e saj ka elementë fashizmi.
Kur një parti politike, siç është VV, çon mercenarët e vet të organizuar, jo tani më më për Zvërnecin, sepse ajo çështje është “kamuflazh”, por në një frymë që hajde të rrëzojmë dhe të destabilizojmë Shqipërinë, shtetin shqiptar, qeverinë, në kohën kur është në fazën për të marrë investimet e reja nga jashtë, në kohën kur është në një moment të integrimit.
VV është parti, e cila mban një frymë, pavarësisht se nuk e identifikon veten, por të gjitha elementët përbrenda saj janë elementë fashiste dhe këtu kemi një strategji. Protestuesit janë kundër demokracisë dhe këtu e kemi problemin”, tha ai.