Connect with us

Kosova

Osmani: Serbia po përgatit sulm në Kosovë, bashkëpunon me “Wagner”

Mercenarët nga grupi famëkeq Wagner i Rusisë po punojnë me paraushtarakët serbë për të kontrabanduar armë dhe uniforma ushtarake të pashënuara në Kosovë. Kështu paralajmëroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Operacioni sekret ka nisur për të hedhur bazat për një sulm të mundshëm hibrid nga Serbia për të rrëmbyer territorin e Kosovës.

Përgatitjet e supozuara nga Serbia kanë paralele me aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, kur ushtarët rusë të veshur me uniforma të zhveshur nga çdo shenjë, të quajtur “burrat e vegjël të gjelbër”, hapën rrugën për shkëputjen e gadishullit nga Moska.

Ata sjellin armë dhe uniforma por nuk janë formalisht pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj pa u quajtur operacion ushtarak”, tha Osmani për The Telegraph në zyrën presidenciale në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës.

Objektivi serb është të “përgatisë situata për një aneksim të mundshëm – jo përmes një operacioni ushtarak tradicional, por përmes një lloj sulmi hibrid”.

Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një nga linjat e përplasjeve më të zjarrta në Ballkan, është përfshirë nga tensionet për muaj të tërë, të shkaktuar fillimisht nga një mosmarrëveshje për targat e mjeteve. Serbët etnikë ishin të zemëruar që u urdhëruan të heqin licencat dhe targat e tyre të lëshuara nga Serbia dhe të miratojnë ato të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Blloqe rrugore dhe barrikada u ngritën nga serbët etnikë në rrugët anembanë veriut, e po ashtu pati përplasje me armë zjarri mes policisë dhe protestuesve. Kriza u përkeqësua aq shumë në dhjetor sa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kërcënoi se do të dërgonte trupa serbe në veri të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Osmani, pohoi se Beogradi po vazhdon të nxisë tensionet në rajon, në bashkëpunim me Wagner Group të Rusisë, i cili kohët e fundit filloi reklamat për rekrutët serbë për luftën në Ukrainë.

“Strategjia e fshehtë për të kontrabanduar armët për një aneksim është duke u zhvilluar për të paktën gjashtë muaj,”- tha Osmani. Synimi është i njëjtë me atë të përdorur nga Vladimir Putin në Krime 9 vite më parë.

Serbia ka mohuar që mercenarët e grupit Wagner të kenë pasur ndonjë rol në përplasjen me Kosovën. Shumë ekspertë të Ballkanit janë skeptikë se Serbia do të guxonte të përpiqej të aneksonte veriun e Kosovës, sepse do t’i sillte ata në një konfrontim me KFOR-in e udhëhequr nga NATO ose Forcën e Kosovës, e cila përfshin ushtarë amerikanë dhe britanikë.

“Për sa kohë që KFOR-i është i bazuar në Kosovë, nuk mendoj se Serbia do të ndërmarrë veprime ushtarake,”- tha Helena Ivanov, një eksperte e Ballkanit me qendër në Beograd.

“Serbia nuk do të hyjë në luftë me NATO-n. E bëri këtë një herë dhe humbi. Nuk do ta bëjë më. Prania e KFOR-it është një pengesë për të dyja palët, që të mos përshkallëzohet”.

Por presidenti Osmani kujtoi skepticizmin e përhapur mes liderëve botërorë në fillim të shkurtit të kaluar, kur dukej se Rusia mund të pushtonte Ukrainën.

“Dy apo tre ditë para pushtimit të Ukrainës, po dëgjoja kaq shumë liderë botërorë që thoshin ‘Putini nuk është aq budalla, ai nuk do ta bëjë këtë’. Ne dëgjojmë tani për Vuçiçin – ‘ai nuk është aq budalla, ai nuk do ta bëjë’.”

Më pas, ajo vazhdoi: Vetëm për shkak se KFOR-i është në Kosovë nuk do të thotë se Vuçiç nuk do ta tentonte kurrë. Nuk po them se do ta bëjë, por ne gjithmonë duhet të jemi gati për të parandaluar një skenar të tillë.

Në pjesën e Kosovës të dominuar nga serbët etnikë, duket qartë ndikimi i Serbisë dhe Rusisë. Në qytetin e Mitrovicës, i cili ndahet nga një lumë në veri etnik serb dhe jug shqiptar etnik, flamujt serbë valëviten në rrugë. Dyqanet preferojnë të marrin dinarin serb në vend të euros, që është monedha në pjesën tjetër të Kosovës.

Ka murale që shpallin se Kosova është përgjithmonë pjesë e Serbisë dhe statuja muskulare të heronjve nacionalistë.

Shkronja Z – simboli i pushtimit rus të Ukrainës – është lyer me spërkatje në një derë së bashku me fjalët “Nuk ka dorëzim”. Pak dyer më poshtë, dikush ka shkruar në një mur “NATO shko në shtëpi”.

Disa ditë më parë, fjala “Wagner” u spërkat në muret e një shkolle në pjesën veriore. Policia e Kosovës e denoncoi rastin si “nxitje të urrejtjes dhe ndarjes ndëretnike”. Ura që ndan dy gjysmat e qytetit patrullohet nga policia italiane, të cilët prej vitesh janë vendosur në Kosovë.

“Për momentin, situata  është e qetë, por ju mund të ndjeni tensionin në ajër. Mund të ndryshojë nga një ditë në tjetrën,”- tha një oficer.

Nën urë, në anën shqiptare etnike të lumit, kishte më shumë mbishkrime, duke përfshirë “F*** Serbia” dhe një shqiponjë shqiptare me dy koka të pikturuar në të zezë.

Në autostradën me dy vija që të çon nga veriu i Mitrovicës në kufirin me Serbinë, gjendet një billbord i madh ku shpallen qytetarë nderi të kësaj pjese të Kosovës, Vladimir Putin, si dhe presidenti i Serbisë Vuçiç dhe tenisti serb Novak Gjokoviç.

Një banderolë e varur nëpër një rrugë kryesore lexon shpalljen: Kjo është Serbia.

Mosmarrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, e cila është zvarritur që kur Kosova pësoi 13,000 të vdekur në një luftë brutale për pavarësi në 1998-1999, mund të duket si një tjetër gjakmarrje e largët në Ballkan. Por ajo ka implikime shumë më të gjera dhe është dëshmi e përdorimit të Serbisë nga Rusia si një përfaqësues për të destabilizuar Ballkanin, për të parandaluar vendet që të lëvizin drejt anëtarësimit në BE dhe NATO dhe për të shkëputur Perëndimin nga lufta në Ukrainë.

“Interesi rus është të përdorë Ballkanin Perëndimor, përmes Serbisë si kalë troje, për të sulmuar sistemet e bazuara në vlera si NATO-ja dhe BE-ja,” tha Presidenti Osmani në Prishtinë, ku rrugët janë emërtuar me emrin Bill Clinton dhe George W Bush, si shenjë falenderimi për ndihmën amerikane në sigurimin e pavarësisë së Kosovës.

“Sa më shumë tensione sigurie krijojnë, aq më pak janë shanset tona për t’u anëtarësuar në BE. Ndonjëherë e bëjnë në Mal të Zi, herë në Bosnje-Hercegovinë, herë në Kosovë dhe kanë krijuar probleme edhe në Maqedoninë e Veriut”.

Ajo akuzoi Serbinë se i sheh Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën si “vende të përkohshme” të cilat Beogradi dëshiron t’i ripërthithë. Serbia, nga ana e saj, akuzon qeverinë e Prishtinës për dështimin e respektimit të marrëveshjes së vitit 2013 për t’i dhënë autonomi më të madhe serbëve etnikë të veriut të Kosovës.

“Nëpërmjet Serbisë, ata duan të krijojnë qendra të tjera konflikti në mënyrë që demokracitë perëndimore të duhet të përballen me shumë kriza në të njëjtën kohë në vend që të fokusohen në Ukrainë.”

Osmani, e cila në moshën 40-vjeçare u bë kryetarja e shtetit më të ri në Evropë, ka përvojë të hidhur personale të luftërave që shpërtheu në ish-Jugosllavi në vitet 1990. Si një 16-vjeçare u detyrua të largohej nga Mitrovica në vitin 1999, pasi një ushtar serb ia futi në gojë tytën e armës AK-47.

“Unë iu luta atyre që të mos qëllonin babanë tim. Ushtari po përpiqej të më mbyllte gojën. Ishte ferr. Mijëra prej nesh u detyruam të shkonim në këmbë për në Shqipëri. Njerëzit u përdhunuan dhe u vranë.”

Përderisa Kosova tani për tani është e qetë, kamionët e rëndë dhe kamionët që janë përdorur për të krijuar bllokime rrugore në veri janë ende të parkuar në anë të autostradave, gati për t’u vendosur në një moment. Megjithatë, disa shqiptarë etnikë dyshojnë se Serbia do ta mendonte ndonjëherë për një veprim ushtarak.

“Tashmë ka një konflikt të madh në Evropën Lindore dhe komuniteti ndërkombëtar me siguri nuk do të lejojë të zhvillohet një i dytë. Dhe nëse serbët sulmojnë, sa mendoni se do të zgjasin kundër NATO-s?,”- tha një shqiptar etnik në Mitrovicë.

Një përpjekje serbe për të aneksuar Kosovën veriore mund të nxisë kaos në pjesën tjetër të Ballkanit, ku disa vende janë të pakënaqur me kufijtë e tyre aktualë.

Duke qëndruar nën hijen e një xhamie të sapondërtuar me dy minare të holla, miku i tij Behxhet Jashanica tha se NATO ishte garantuesi i stabilitetit të Kosovës.

“Por nëse KFOR-i largohej nga Kosova, Serbia do të hynte brenda disa orësh. Dhe rusët do t’i ndihmonin ata.”

Kosova

‘Spiune e Kosovës te Vuçiç’/ Milaim Zeka hedh akuza të forta ndaj kësaj politikanie

Gazetari Milaim Zeka dha emrin e një politikaneje në Kosovë që sipas tij vepron njësoj si Vuçiç.

Donika Gërvalla, thotë ai, e dinte mirë që Albin Kurti nuk dorëzon draftin dhe nuk e krijon asosacionin, ndërsa thotë se përballja mes Gërvallës dhe Vjosa Osmanit është e sajuar.

 “Me perëndimin jemi katandisur në këtë gjendje saqë Donika Gërvalla, ministre e një vendi që nuk prodhon as domate, as kastraveca, ministre e një vendi që nuk paraqet në mënyrë absolute kurrfarë rëndësie për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjen kohën për t’u tallur dhe për të thënë që po, ne e dorëzojmë draftin, në kohën kur ajo e dinte fare mirë që Albin Kurti nuk dorëzon draft, Albin Kurti nuk e krijon Asociacionin

Madje e shpikën këtë teorinë e konfrontimit gjasmë mes Gërvallës dhe presidentes Vjosa Osmani. Presidentja ngjason shumë me Vuçiçin në një pikë. Vuçiçi po përdor një strategji mes lindjes dhe perëndimit. Gjithë ditën është me perëndimin, e gjithë natën është me Putinin. Të njëjtën gjë po e bën dhe Vjosa Osmani: Gjithë ditën është me perëndimorët e gjithë natën është me Albinin dhe me Donika Gërvallën”, tha ai.

Continue Reading

Kosova

Gjenocidi në Srebrenicë, OKB miraton rezolutën/ Viktimat do të përkujtohen në 11 korrik

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nisi debatin për një propozim-rezolutë, që do ta shpallte 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

“Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë – anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha ajo, vendi i së cilës e hartoi tekstin e rezolutës, bashkë me Ruandën.

Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.

 

 

“Iu bëj thirrje vendeve anëtare që të votojnë kundër rezolutës”, tha ai.

Rezoluta bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Në Srebrenicë – pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës – forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007.

Si u deklaruan vendet e tjera?

Përfaqësuesi i Kinës në OKB, Fu Kong, tha se vendi i tij do të votojë kundër rezolutës për Srebrenicën.

Ai tha se Kina e ka respektuar gjithmonë sovranitetin dhe pavarësinë e Bosnje e Hercegovinës, por vlerësoi se rezoluta “është një dokument kontrovers”.

Kuba, Azerbajxhani, Nikaragua dhe Venezuela u shprehën, po ashtu, kundër.

Egjipti tha se do të votojë në favor të rezolutës, ndërsa Nambia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Angola do të abstenojnë.

Kush e sponosorizoi rezolutën?

Gjermania dhe Ruanda janë “sponsorizueset” kryesore të rezolutës për Srebrenicën, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e saj.

Më pas, 32 shtete anëtare të OKB-së u bënë “bashkësponsorizuese”, apo vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të kësaj organizate.

Për miratimin e rezolutës duhen votat e shumicës së anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përkatësisht 97 nga gjithsej 193.

Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Dokumenti nxiti reagime të furishme nga zyrtarët e tyre, edhe pse në të nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska.

Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të tij, ndërsa, pak orë para se të niste debati në Asamblenë e Përgjithshme, Republika Sërpska ofroi, siç tha, një marrëveshje për “ndarjen paqësore” të Bosnje e Hercegovinës.

Continue Reading

Kosova

“O ba, edhe gjyshin tonë kështu e kanë torturuar serbët?”/ Milaim Zeka rrëfen mes lotësh historinë drithëruese

Milaim Zeka ka bërë një analizë të ngjarjeve politike në Kosovë, ku nuk kurseu kritikat ndaj politikave të Albin Kurtit dhe qeverisë së tij

Mes të tjerash, Zeka rrëfeu një histori të treguar nga një ushtar serb sesi trupat e shqiptarëve ishin bluar me makinat e asfaltit.

“Përmes një lidhjes time në Suedi para dy viteve bëra një intervistë ekskluzive me një ushtar serb në Kosovë, i cili më tha që trupat e shqiptarëve i kemi marrë dhe i kemi bluar në ato makinat e asfaltit, i kemi shtruar asfalt. Duke e transmetuar televizioni i Kosovës këtë intervistë, vajza ime që ishte 12 vjeç, më tha: Babi, a mund të mendosh që edhe gjyshin e kanë bluar në këtë formë? Ne kemi histori të jashtëzakonshme trishtuese në këtë vend, por që politika jonë në Kosovë është dhënë kaq shumë pas luksit, që politikanët tanë janë bërë kaq multimilionerë, që politikanët tanë bëjnë gara kush po pi ëhiski më të shtrenjtë, kush po pi puro më të shtrenjta, kush ka makinë më të shtrenjtë… këtë nuk e kam pritë. Gjej ngushëllimin shpeshherë duke lexuar një libër të një shkrimtareje të njohur Anna Maria Narte, mikeshë e imja në Suedi me origjinë nga Bukureshti, e cila sikurse unë që u ktheva në luftën e Kosovës, ajo u kthye në Bukuresht mbas rënies së Çausheskut dhe pas 2 vitesh u kthye në Suedi dhe bëri një libër të jashtëzakonshëm me titullin “Kush ma vodhi Rumaninë”.

Unë një milion herë kam thënë “Kush ma vodhi Kosovën”, kush na i vodhi ëndrrat tona dhe kush tjetër përpos klasës politike në Kosovë që nuk janë fare të shqetësuar me eshtrat e prindërve tanë që janë të zhdukur që ne nuk i dimë. Të paktën lule t’ju dërgojmë atje. Albin Kurti nga ai heroi, i cili thoshte që unë nuk pranoj t’ulem në dialog me Serbinë, pa na i kthy eshtrat e të pagjeturve, sot është kthyer në një njeri konfrontues me Bashkimin Evropian me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në njeri që ka sjellë një hasmeri të jashtëzakonshme me Podgoricën, me Tiranën, me Shkupin.

Ky njeri nuk komunikon me askënd dhe për këtë më dhimbset ardhmëria e fëmijëve të mi se Albin Kurti me gjithë këta të tjerët (….) sot ekzistojnë nesër do përfundojnë në burgje”, tha me revoltë Milaim Zeka.

Continue Reading

Kosova

Presidenti që mbron kriminelët e luftës, Mediat austriake: Lidhja mes Vuçiçit dhe gjenocidit në Srebrenicë

“Asnjë burrë shteti nuk u përpoq aq shumë të pengonte miratimin e Rezolutës për Srebrenicën para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, sa presidenti serb Aleksander Vuçic. Dikush mund të thotë se kjo është normale sepse autorët e gjenocidit, si Vuçic, janë anëtarë të të njëjtit popull. Megjithatë, ka një lidhje mes tij personalisht dhe asaj që u krye në korrik 1995 në zonën e mbrojtur të OKB-së të Srebrenicës” – keshtu shkruajnë profesorët Jasmin Medic dhe Emir Kahrimanovic në analizën e tyre për Kurierin Austriak.

Në korrik 1995, ndërsa ekzekutimi masiv i civilëve boshnjakë po ndodhte në Bosnjën lindore, 25-vjeçari Vuçic, në atë kohë anëtar i Partisë Radikale Serbe ultra-nacionaliste (SRS) në parlamentin serb, i dërgoi një mesazh komuniteti ndërkombëtar: Nëse ju vrisni një serb, ne do të vrasim njëqind muslimanë.

Ai ishte një nga udhëheqësit më të shquar, i cili haptazi avokoi për krijimin e Serbisë së Madhe, e cila do të përfshinte, përveç Serbisë dhe Kosovës, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, si dhe pjesë të Kroacisë. Partia e tij radikale mbështeti hapur kriminelët e luftës të dënuar më vonë, madje mohoi dhe lavdëroi krimet kundër civilëve boshnjakë, kroatë dhe shqiptarë. Ndërkohë, gjykata e krimeve të luftës në Hagë lëshoi një sërë aktakuzash kundër kriminelëve të dyshuar të luftës, duke përfshirë Radovan Karaxhiqin (atëherë president i Republikës Srpska) dhe Ratko Mlladiç (komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska). Për të treguar besnikërinë ndaj të dyve, në vitin 2007, Vuçiq ngjiti postera me mbishkrimin “Bulevar Ratko Mlladić” në ndërtesën e stacionit televiziv liberal B-92. Menjëherë pas kësaj ai në Kuvendin e Serbisë deklaroi: “Çdo shtëpi e të gjithë familjes Vuçic, dhe ne nuk jemi një familje e vogël, do ta ketë një derë të hapur për gjeneralin – dhe tregoi një poster ku shkruhej: “Shtëpi e sigurt për Ratko Mlladic”.

Megjithëse ai ka kaluar në një parti më të moderuar nacionaliste, në thelb është ende i njëjtë me atë që ishte në vitet 1990 dhe dekadën e parë të viteve 2000. Ai është vetëm i vetëdijshëm se është më e zgjuar të gjesh një ekuilibër midis Lindjes dhe Perëndimit sesa narrativa tradicionale ultra-nacionaliste. Vuçici i sotëm nuk mund të performojë më me shpalljen e një shtëpie të sigurt, por është i shkathët në luftën për t’i paraqitur ngjarjet në Srebrenicë në një mënyrë që nuk është në përputhje me të vërtetën dhe gjenocidin e provuar. Prandaj, është në interesin e tij, në bashkëpunim me shtetet autokratike si Rusia, Bjellorusia, Kina dhe Siria, të pengojë miratimin e rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Braktisja ose mos miratimi i rezolutës do të nënkuptonte një humbje tjetër në luftën kulturore globale midis shteteve ekonomikisht dinamike, por autokratike dhe botës së lirë. Së fundi, debati aktual është gjithashtu një simptomë e klimës politike në Serbi, e cila ende sundohet nga një kastë politike autokratike për sa i përket udhëheqjes së saj nacionaliste në vitet e përgjakshme të 90-ta” – thuhet ne shkrimin e Kurierit Austriak.

 

Continue Reading

Kosova

Daniel Serwer me propozim të ri për Asociacionin, shpreh keqardhje ndaj tri vendeve evropiane

Të premten e kaluar është mbajtur takimi i Komitetit të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe në këtë takim nuk ishte përfshirë kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Gjermania, Franca dhe Italia, përmes një letre kanë deklaruar se duan hapa konkretë për asociacion, sepse pa to nuk do të ketë anëtarësim në KIE.

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka komentuar takimin e Komitetit dhe letrën e tri shteteve she sipas tij, Kosova ka pasur më shumë pengesa se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në intervistë, profesori ka folur edhe rreth draft asociacionit që do të dorëzohet nga Qeveria në fund të muajit, ku sipas tij, amerikanët duhet të detyrohen të nënshkruajnë një dokument zyrtar që garanton se nuk do të ketë një nivel tjetër qeverisje në Kosovë.

Serwer ka folur edhe rreth marrëdhënieve të qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve si dhe zgjedhjeve të reja në Kosovë.

“Mendoj se letra nga Gjermania, Franca dhe Italia ishte për të ardhur keq. Ata po i premtojnë Serbisë Asociacionin pa asnjë çmim për Kosovën, një gjë që është e përcaktuar qartë në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013” – deklaroi Serwer duke shtuar se Amerikanët kanë thënë se kundërshtojnë çdo nivel të ri të qeverisjes në Kosovë dhe se ai nese do ishte ne krye te qeverise ne Prishtine do ti detyronte at ate nenshkruanin një dokument zyrtar që do garantonte se nuk do të ndodhë.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING