Kosova
Osmani zbulon përplasjen me Kurtin: Nuk e shohim si figurë simbolike”
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për takimet e zhvilluara me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kuadër të diskutimeve për një marrëveshje të mundshme politike.
Osmani tha se një nga dallimet kryesore mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhej me mënyrën se si palët e shihnin rolin dhe funksionin e Presidentit të Republikës.
LDK-ja ka vendosur të qëndrojë në opozitë dhe ka bërë të ditur se heq dorë nga kërkesat për postin e kryeparlamentarit, Presidentit apo pjesëmarrjen në Qeveri. Sipas këtij qëndrimi, Vetëvendosje mund t’i mbajë këto poste.
Megjithatë, LDK-ja ka deklaruar se është e gatshme të votojë për një President konsensual, me kusht që kandidati të jetë një figurë që mbron Republikën dhe Kushtetutën.
Duke folur për diskutimet me Kurtin, Osmani tha se LDK-ja e sheh Presidentin si një figurë me përvojë dhe njohuri politike, por që nuk duhet të jetë i lidhur me qëndrime partiake.
Sipas saj, Presidenti duhet të jetë në gjendje të ushtrojë kompetencat kushtetuese, të përfaqësojë Kosovën jashtë vendit dhe të shërbejë si balancues ndërmjet pushteteve.
Osmani tha se ky nuk ka qenë interpretimi i Vetëvendosjes për rolin e Presidentit. Sipas saj, LVV-ja e shihte këtë post më tepër si një funksion simbolik dhe kërkonte një figurë pa angazhim apo qëndrime politike.
Ajo theksoi se ky përbën një dallim të rëndësishëm mes dy subjekteve politike, pasi LDK-ja e konsideron Presidentin një institucion që kontribuon në balancimin e pushteteve dhe jo thjesht një figurë ceremoniale.
Osmani u shpreh gjithashtu dakord me idenë se diskutimet duhet të kalojnë tashmë te emrat konkretë për Presidentin e ardhshëm.
Ajo bëri të qartë se vota e LDK-së do të varet nga përmbushja e kritereve që kjo parti ka vendosur për kandidatin, veçanërisht konsensualiteti, respektimi i Kushtetutës dhe mbrojtja e interesit të Republikës.