Connect with us

Kosova

Osmani ‘zhvesh lakuriq’ Kurtin: Na ka sabotuar me Amerikën, Trump më tha…

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zbuluar detaje të reja nga përplasjet e mëparshme me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, duke përfshirë për parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë festimeve të përvjetorit të pavarësisë më 17 shkurt.

Duke folur në Klan Kosova për arsyet që çuan në krisjen midis tyre, ajo ka zbuluar një mospajtim të pazakontë që ndërlidhet me autoritetin e saj si Komandante Supreme.

“Ka pasur gjëra të tjera sikurse pse ke kërkuar që FSK-ja të parakalojë me 17 shkurt. Unë nuk e di ku është problemi? Por ky paska qenë problemi i tyre me mua”.

“Nëse FSK-ja nuk parakalon në ditën kur është krijuar shteti ynë, dhe të krijojë motiv me gjithë atë përkrahje popullore që e ka, unë nuk e di kur tjetër duhet të parakalojë FSK-ja. Kjo ka qenë kërkesë e imja në cilësinë e Komandantes Supreme”.

Osmani ka folur edhe për forcimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka rrëfyer një moment nga takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili, sipas saj, dëshmon qasjen e re të Uashingtonit ndaj Prishtinës.

“Kur sekretari Rubio erdhi që të më takojë mua, pyetja e parë që ma bëri ishte ‘zonja presidente, çfarë mund të bëjmë për ju’. Kjo është kërkesa që ma ka bërë. Ai tha ‘unë sapo erdha nga Shtëpia e Bardhë, dhe presidenti Trump kërkoi nga unë që t’ju pyes nga ju zonja presidente: cfarë mund të bëjmë ne për ty?’”, ka kujtuar Osmani.

Ajo ka theksuar gjithashtu se në fokus të bisedimeve me administratën amerikane ka qenë një plan i detajuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO, përfshirë një listë të shteteve dhe një plan kohor për përmbylljen e procesit të njohjeve, krahas diskutimeve për mbrojtjen konkrete të sovranitetit territorial dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Osmani ka akuzuar Kurtin për pengesa sa i përket raporteve me Shtetet e Bashkuara, duke përmendur përpjekjet për të sabotuar anëtarësimin në Bordin e Paqes.

“Ka pasur një pengesë të paprecedentë… për ta ndryshuar tekstin e marrëveshjes. Kjo nuk ka ndodhur në histori të Kosovës. Unë jam informuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të GUXO-s që ata kanë dëgjuar që Grupi Parlamentari ka vlerësuar se ka qenë gabim i madh që Vjosa Osmani është ulur në tryezë me presidentin Trump, sepse sipas tyre, ne duhet të jemi jashtë radarit të Shteteve te Bashkuara”, ka shtuar ajo

Advertisement