Connect with us

Kronike

Pa përfshirjen e Policisë, SPAK arreston Adi Çobën, i dyshuar si organizator i rrjetit të trafikut të kokainës

Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka arrestuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Durrës Adi Çobën, një emër që konsiderohet nga autoritetet italiane si figurë kyçe në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës dhe heroinës.
Sipas burimeve, operacioni është zhvilluar ekskluzivisht nga BKH, pa përfshirjen e Policisë së Shtetit. Arrestimi vjen vetëm pak orë pasi kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi publikisht se institucioni po harton një strategji të re për arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë, duke ndërhyrë drejtpërdrejt përmes strukturave të veta.
Adi Çoba u bë i njohur për drejtësinë shqiptare vetëm vitin e kaluar, pas zbardhjes së operacionit ndërkombëtar “Ura”, i cili goditi një organizatë të fuqishme të trafikut të drogës që vepronte mes Shqipërisë, Italisë dhe vendeve të tjera evropiane.
Sipas dosjes hetimore të autoriteteve italiane, Çoba konsiderohet organizatori kryesor i rrjetit kriminal në Itali. Hetimet pretendojnë se ai drejtonte nga Shqipëria aktivitetin e organizatës, duke koordinuar anëtarët shqiptarë dhe italianë të përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës.
Në dokumentet e drejtësisë italiane thuhet se, në cilësinë e drejtuesit dhe promovuesit të grupit kriminal, Adi Çoba organizonte dërgimin e korrierëve drejt Italisë për transportimin e lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, droga furnizohej nga Shqipëria dhe Holanda, ndërsa më pas shpërndahej në territorin italian përmes rrjetit të organizuar.
Po sipas autoriteteve italiane, aktiviteti i grupit ishte i mirëstrukturuar dhe funksiononte përmes një zinxhiri të koordinuar transporti dhe shpërndarjeje, me Çobën që dyshohet se mbikëqyrte dhe drejtonte operacionet nga Shqipëria.
Hetimet kanë evidentuar gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë të Adi Çobës me Elvis Doçin, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”, një tjetër emër i lakuar në dosjet e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Arrestimi i Çobës konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në vijim të goditjes së rrjetit të zbuluar nga operacioni “Ura”, ndërsa pritet që SPAK dhe BKH të japin detaje zyrtare mbi akuzat konkrete, rrethanat e operacionit dhe hapat e mëtejshëm të procedimit penal.

Advertisement