Shkrime
Pa universitet dhe pedagogë, jemi pa atdhe

Nga Shpëtim Nazarko
Një miku im pedagog gjerman, po më shpjegonte një ditë, në lidhje me vështirësitë e marrjes së disa dokumenteve për të filluar punën dikur, si mësues në ciklin e ulët. I thashë pa u menduar, se vështirësia vinte ndoshta, ngaqë Gjermania sa kishte filluar rindërtimin pas luftës së Dytë etj., etj.
-Jo, jo – më tha, – duhesh të vërtetoja origjinën time, deri në breza, që isha gjerman…
Mund të bëhesh profesor universiteti këtu, duke qenë polak, a shqiptar, por jo mësues filloreje. Duhet t’u mësosh fëmijëve gjuhën e nënës e këtë, s’e bëjnë dot ata që nuk janë gjermanë… Të flasësh për këto nuanca në Shqipëri, të shohin me çudi…
Sa duhet ta kenë rrogën pedagogët, në Shqipëri?
As që kam ndërmend, të bëj llogaritë e rrogës së tyre. E natyrisht, të dëgjoj ata që u kujtojnë pedagogëve rrogat e larta, marifetet që bëjnë duke kaluar studentët në këmbim të parave, fshehjen e rrogës reale, apo paudhësi të tjera të këtij lloji. Të përzihesh në këtë çështje dhe me gjuhën e shprehur së fundmi, jo vetëm nga militantët partiakë, por nga vetë Kryeministri, që u kujtoi jo vetëm këto hynere, por dhe kontrollin që do t’u bënte, për t’u parë rrogat reale etj., etj., do të thotë të jesh i mjerë.
I bëjnë pedagogët, këto? Një pjesë e tyre, si një pjesë e shoqërisë, po. Po pjesa tjetër, merret me atë që duhet të bëjë.
Një pedagog, natyrisht që mund të trajtohet edhe si një punëtor, a një mjek, por a është vërtet, ky, thelbi i çështjes?
Pedagogu ka në dorë, ndryshe nga Kryemnistri, apo ministri, – që janë nëpunës të lartë të shtetit, por nesër janë ca më pak, – të ardhmen e vendit, në formën më të drejpërdrejtë. Pedagogut i duhet një rrogë të blejë ca libra më të mira se të të tjerëve, të ketë një bibliotekë të klasit të parë, të udhëtojnë në konferenca kombëtare a ndërkombëtare, për të rritur nivelin e tyre, që duhet për fëmijët e njerëzisë etj. Pa kanë dhe ata, fëmijë si të tjerët, shtëpi etj.
Një pedagogu, pra, ndryshe nga të tjerët, u duhen shumë para e jo një milionë e dy milionë, po ca më shumë se kaq. Po ku t’i gjejë qeveria, kaq para?
Po të citosh Kryeministrin, zjarrfikësat kanë dhe ata probleme, dhe rritja 7 për qind e rrogës, ndjehet te pedagogët, më shumë.
Ku t’i gjejë qeveria, kaq para? Po a është vërtet, punë paraje?
Problemi është shumë më i thellë dhe tregon drejpërdrejt, kolapsin e vendit në çdo drejtim e që po e çon atë, në greminë.
Kur sistemi komunist ra politikisht, bashkë me të, ra edhe e gjithë ngrehina shtetërore. Sistemi mbahesh nëpërmjet ca instituteve që studionin që nga tokat, farërart që duheshin mbjellë, ujërat, territori, pyjet e gjithçka. Fundja mirë bënë, se i përkisnin një sistemi sovjetik e po ndërtonim sistem tjetër.
Por, pyetja e thjeshtë, natyrisht vjen këtu.
Kush do t’i zëvëndësonte këta faktorë? Se, tokat duhet të vazhdonin të mbroheshin, ujërat po, pyjet po, studimi i territorit, po. Do ta bënin militantët partiakë, që zunë zyrat për shkak të angazhimit politik, apo nënpunësit e ministrisë, me atë rrogë minimale dhe pa kushte reale, për t’i bërë?
Shihni kazinonë e Shqipërisë së sotme dhe e kuptoni.
Klasa politike nuk e vrau mëndjen. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe vec asaj që ndodhi. Në këtë pike klasa jonë politike e majtë apo e djathtë, u tregua shumë më e poshtër se pushtuesi. Kur Ducja pushtoi Shqipërinë, më parë dërgoi këtu ekspertë të të gjitha fushave, për të kuptuar jo vetëm se cfarë po pushtonte. Ekspertët e Duces treguan dhe analizuan me imtësi cfarë mbillesh e rritesh këtu. Në cdo centimetër tokë të Shqipërisë. Si mbrohesh dhe rregullohesh territori, ujërat sizmika. Planizuan qytetet thuajse të gjitha duke ruajtur vëndin në gjithcka, megjithse ky vënd nuk ishte i tyri.
Çfarë ndodhi këtu? Pyjet, ujërat, territori, ushqimet, studimi apo strategjitë ndërtuese morën fund.

