Connect with us

Aktualitet

PAMJE APOKALIPTIKE/ zjarri avancon drejt Levanit., digjen tre shtëpi

Zjarri i nisur mesditën e sotme në fshatin Vadhizë të Fierit është përhapur me shpejtësi, duke marrë përmasa të mëdha dhe duke krijuar një situatë kritike pranë zonave të banuara.

Flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, kanë avancuar në drejtim të Levanit, duke përshkuar sipërfaqe të mëdha me ullishte, pyje me pisha dhe shkurre. Sipas banorëve, janë djegur tre banesa, një magazinë që prodhon koshere bletësh, ndërsa flakët janë afruar edhe pranë bizneseve.

Në zonën e Qafës së Koshovicës, zjarri iu afrua dy lokaleve. Një prej tyre, së bashku me një shtëpi të pabanuar, është përfshirë nga flakët. Për shkak të përhapjes së shpejtë dhe vështirësive për ndërhyrjen nga toka, në operacion është përfshirë edhe mbështetja nga ajri.

Dy helikopterë kanë mbërritur në zonë për të ndërhyrë në vatrat më problematike dhe për të ndihmuar në neutralizimin e flakëve.

Situata është rënduar edhe më tej pasi zjarri ka kaluar rrugën nacionale Fier–Levan. Për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut për drejtuesit e automjeteve, policia ka bllokuar përkohësisht qarkullimin në këtë aks.

Ndërkohë, flakët kanë vijuar të avancojnë përmes pyllit të dendur në drejtim të Peshtanit të Vogël. Për shkak të afrimit të zjarrit pranë banesave, policia ka nisur evakuimin e banorëve. Rreth 15 familje janë larguar nga shtëpitë e tyre, ndërsa efektivët vijojnë të monitorojnë zonat më të rrezikuara.

Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse nga Fieri, Mallakastra, Lushnja, Vlora dhe Berati, të mbështetura nga policia dhe strukturat e emergjencave civile.

Situatën e vështirësojnë edhe vatrat e reja që janë krijuar në zona të ndryshme, ndërsa era e fortë vijon të favorizojë përhapjen e flakëve.

Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon në terren, ndërsa autoritetet janë të përqendruara në izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banesave dhe bizneseve pranë zonave të përfshira nga zjarri. Situata mbetet në zhvillim.

Advertisement