Connect with us

Aktualitet

Paniku në Beograd është i pavend/ Vengu mbron hapur marrëveshjen trilaterale me Kosovën dhe Kroacinë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka hedhur poshtë reagimet dhe shqetësimet e shprehura në Beograd lidhur me marrëveshjen trilaterale ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke i cilësuar ato si të pajustifikuara dhe të nxitura nga keqinterpretimi i qëllimit të marrëveshjes.

Në një konferencë për media, Vengu deklaroi se ka vënë re një “sens paniku” në Serbi për këtë bashkëpunim, por theksoi se një reagim i tillë nuk ka bazë reale.

“Kam shprehur madje edhe faktin se Serbia, nëse e gjykon të duhur bashkimin me këtë koalicion, mund të jetë pjesëmarrëse, por deri tani nuk ka pasur asnjë përgjigje”, u shpreh ministri.

Sipas Vengut, marrëveshja është konceptuale në thelb, pasi të tre vendet ndajnë të njëjtin vlerësim për rreziqet dhe sfidat e sigurisë në rajon. Ai nënvizoi se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia janë shtete sovrane dhe nuk kanë nevojë për lejen e askujt për të ndërtuar forma bashkëpunimi.

“Të tre vendet nuk i marrin leje askujt për të formuar koalicione dhe kushdo tjetër mund t’i bashkohet nëse dëshiron”, tha Vengu.

Ministri sqaroi gjithashtu se kjo nuk është një marrëveshje që parashikon garanci ushtarake, por një kornizë bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, përfshirë zhvillimin e industrisë ushtarake, shkëmbimin e eksperiencave dhe rritjen e kapaciteteve.

Deklaratat e Vengut vijnë në një moment ndjeshmërie të shtuar në rajon, ku iniciativat për bashkëpunim në fushën e sigurisë shpesh shoqërohen me reagime politike, veçanërisht nga Beogradi. Ministri theksoi se transparenca dhe bashkëpunimi mbeten parime kyçe të kësaj nisme dhe se ajo nuk është e drejtuar kundër asnjë vendi.

 

 

Advertisement