Connect with us

Aktualitet

Paniku në mesnatë/ Zbulohen identitetet e 6 të lënduarve nga zjarri

Janë identifikuar gjashtë personat që mbetën të lënduar nga zjarri i fuqishëm që përfshiu në orët e para të mëngjesit hotelin “Brooklyn”, në Lungomare të Vlorës.

Të lënduarit janë kryesisht të rinj, të moshave 20 deri në 30 vjeç. Ata janë Ndorina Rexhepi, 25 vjeç; Arlinda Rexhepi, 27 vjeç; Erza Grainca, 21 vjeç; Aldo Kasimi, 30 vjeç; Ana Dyrmishi, 25 vjeç dhe Luan Saliu, 21 vjeç.

Zjarri ka rënë rreth orës 04:05 në ambientet e brendshme të hotelit, në lagjen “10 Korriku”. Sipas hetimeve paraprake, flakët dyshohet se kanë nisur në ambientet e restorantit dhe më pas janë përhapur në pjesë të tjera të godinës.

Përballë situatës së krijuar, disa prej pushuesve janë përpjekur të largohen nga hoteli, ndërsa disa prej tyre, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve, janë detyruar të hidhen nga ballkonet, duke pësuar fraktura dhe dëmtime të tjera trupore.

Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ndërsa një tjetër po merr trajtim në Spitalin Rajonal të Vlorës. Dy prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore.

Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe veprimet e para hetimore, Policia dyshon se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi që ndodhej në ambientet e restorantit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që çuan në përhapjen e zjarrit.

Advertisement