Connect with us

Kosova

Paralele: Kur Serbia ndërhynë në zgjedhjet e Kosovës e Kosova – të Maqedonisë së Veriut!

Ndërhyrja e shteteve në proceset zgjedhore të vendeve të tjera është një nga shkeljet më të rënda të demokracisë dhe sovranitetit. Këtë e theksoi së fundmi kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, kur akuzoi Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale që më 12 tetor do të mbahen në Kosovë. Mirëpo, ndërsa Kurti e kritikon me të drejtë një praktikë të tillë, pak ditë më herët, një përfaqësues i lartë i qeverisë së tij ishte vetë në Shkup duke shprehur publikisht mbështetjen për grupimin politik VLEN – pikërisht në kohë fushate! Ky paralelizëm i pakëndshëm ngre pyetje serioze mbi koherencën politike dhe respektimin e standardeve demokratike nga vetë elita politike kosovare.

Shkruan: Seladin Xhezairi

Këtë javë, Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ndërhyrja e Serbisë në Kosovë është “më serioze se ndikimi rus në Evropë”.

“Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i Bashkimit Evropian në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kishte evidentuar ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrjet e shteteve tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti. Me gjithë këto, Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga BE-ja, andaj Serbia nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje që bën Serbia tani është edhe më e rëndë se sa ajo e Rusisë në Evropë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë, duke i bërë thirrje BE-së që ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit dhe ta sanksionojë Serbinë për veprimet që bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë.

Mirëpo, vetëm një javë para kësaj deklarate, më 30 shtator, ministri Hysen Durmishi – pjesë e kabinetit të Kurtit – mori pjesë në Konventën e grupimit politik VLEN në Shkup. Në fjalimin e tij, ai rikonfirmoi mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Kryeministrit në largim për këtë formacion politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut:

“Në Kosovë votohet më 12 tetor dhe atje Vetëvendosja është ajo që VLEN, kurse këtu votohet më 19 tetor, dhe këtu VLEN-i është forca juaj. Ashtu siç po lidhet Prizreni me Tetovën me rrugë e tunel, duhet të lidheni edhe ju me VLEN-in, të bëheni bashkë dhe të fitoni bashkë. Shqiptarët nuk e kanë luksin të ndahen, pasi vetëm të bashkuar bëhen faktor. Qeveria e Kosovës, lëvizja jonë, është me ju politikisht, kombëtarisht dhe njerëzisht,” – deklaroi Durmishi në Shkup.

Një deklaratë e tillë është vështirë të mos lexohet si ndërhyrje politike në një proces zgjedhor të një shteti tjetër sovran. A nuk përbën kjo një formë ndikimi të drejtpërdrejtë që, me të njëjtën logjikë të aplikuar nga vetë Kurti ndaj Serbisë, mund të cilësohet si “cënim i demokracisë”?

Mbështetja e një partie në pushtet në Kosovë për një subjekt politik në Maqedoninë e Veriut – madje gjatë fushatës – krijon precedent të rrezikshëm. Edhe kur bëhet në emër të çështjes shqiptare, një veprim i tillë mbetet problematik nga këndvështrimi i etikës ndërkombëtare, sidomos nëse e krahasojmë me qëndrimet që kërkohen nga të tjerët.

Albin Kurti ka të drejtë kur kritikon ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë, por ç’të thuhet kur qeveria e tij vepron në mënyrë të ngjashme në një vend fqinj?

Ashiqare, ekzistimi i dy kuteve për të njëjtën çështje, vetëm se prodhon tensione e vështirësi shtesë, si në raportet me serbët, po ashtu edhe me maqedonasit e të mos flasim më për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut që aktualisht janë të pozicionuar në dy blloqe rivale.

Jo më kot, të moçmit kanë thënë: mos ia bëj tjetrit atë që nuk dëshirojnë të ta bëjnë ty! Të mos harrojmë, demokracia nuk bëhet fët e fët, me fjalë, por me punë. Dhe punët kanë parime. Parimet, të mos harrojmë, vlejnë vetëm kur zbatohen edhe ndaj vetes!

Advertisement