Kronike
Pasi vodhi 2 kg flori në argjendari, autori zbulon pasionin për maskat: I përdor për Halloween
Gjykata Penale e Tiranës ka lënë në burg Argys Kalzin, 32-vjeçarin e arrestuar si të dyshuar për grabitjen e një argjendarie në Paskuqan, më 5 gusht.
Në seancën gjyqësore, Kalzi ka mohuar të ketë lidhje me grabitjen, ndërsa ka dhënë shpjegime për maskën e gjetur nga hetuesit në një zonë të pyllëzuar pranë vendit ku dyshohet se autorët kanë lënë sende që lidhen me ngjarjen.
Në këtë maskë është gjetur material biologjik, i cili sipas ekspertizës përputhet me ADN-në e 32-vjeçarit. Përpara gjykatës, Kalzi ka pretenduar se prania e ADN-së së tij në maskë mund të ketë një tjetër shpjegim.
“I kam qejf maskat e Halloween-it. Kam pasur disa, i kam blerë jashtë vendit. I kam përdorur për festë dhe më pas i kam flakur. Nuk e di çfarë ka ndodhur me to”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Sipas versionit të tij, maskat që ka përdorur për Halloween mund t’i ketë hedhur dhe ato më pas mund të kenë përfunduar në duart e personave të tjerë. Për këtë arsye, ai ka kundërshtuar pretendimin se materiali biologjik i gjetur në maskë e lidh drejtpërdrejt me grabitjen.
Kalzi nuk ka pranuar të tregojë se kush mund të jetë personi tjetër i përfshirë në ngjarje. Ndërkohë, hetuesit kanë administruar edhe prova të tjera dhe po analizojnë gjurmët e gjetura në zonën ku u sekuestruan sendet që dyshohet se lidhen me grabitjen. Disa prej këtyre gjurmëve nuk përputhen me 32-vjeçarin.
Grabitja ndodhi më 5 gusht në Paskuqan. Dy persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov hynë në argjendari, kërcënuan punonjësen dhe morën rreth 2 kilogramë flori, me një vlerë të konsiderueshme monetare.
Nga hetimet dyshohet se autorët kishin informacion të detajuar për argjendarinë dhe vendndodhjen e bizhuterive. Njëri prej tyre dyshohet se kishte qenë në subjekt si klient disa ditë para grabitjes.
Pavarësisht deklarimeve të tij, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Argys Kalzin. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë dinamikën e grabitjes, identifikuar bashkëpunëtorin dhe përcaktuar rolin e secilit prej personave të dyshuar.