Kosova
Përplasja për ujin/ Vuçiç sfidon Tiranën dhe hap dosjen e luftës: Nuk ka punë Shqipëria me Lumin Ibër
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i është përgjigjur qëndrimit të Shqipërisë lidhur me deklaratat e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke pretenduar se Tirana nuk ka lidhje me këtë çështje.
Gjatë një interviste për televizionin publik serb RTS, Vuçiç kundërshtoi reagimet ndaj deklaratave të tij dhe e cilësoi çështjen e Ibrit si një problem të brendshëm të Serbisë.
“Çfarë tjetër duhet të bëjnë? Çfarëdo që të thuash, do t’i drejtohen Brukselit, meqë nuk dinë më çfarë të bëjnë me veten. Serbët torturohen dhe keqtrajtohen atje. Nuk e di çfarë lidhje ka me Shqipërinë. Çfarë lidhje ka Ibri me Shqipërinë? Çfarë lidhje ka kjo me ndonjërin prej tyre në ndonjë mënyrë? Kjo është çështja jonë e brendshme”, deklaroi Vuçiç.
Presidenti serb tha se deklarata e tij për ngritjen e një grupi pune lidhet me situatën në Ribariç dhe me shqyrtimin e problemeve që, sipas tij, ekzistojnë në atë zonë.
“Nuk ka ndonjë filozofi të madhe këtu”, tha Vuçiç, ndërsa më pas e zhvendosi deklaratën te Kosova dhe përsëriti akuzat e tij ndaj autoriteteve në Prishtinë.
Ai pretendoi se serbët në Kosovë përballen me arrestime, dhunë dhe presion institucional, ndërsa akuzoi edhe faktorët ndërkombëtarë se po mbështesin forcimin e institucioneve të Kosovës dhe dobësimin e strukturave serbe.
Vuçiç u kthye edhe te ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë në vitin 1999. Sipas tij, 19 vendet e Aleancës ndërhynë me synimin për t’i shkëputur Serbisë Kosovën.
“Edhe 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë nga Prishtina, shpalljet e tyre ende nuk njihen nga Serbia dhe shumë vende në botë”, deklaroi presidenti serb.
Vuçiç akuzoi më tej vendet perëndimore se me mbështetjen e pavarësisë së Kosovës kanë krijuar një precedent që, sipas tij, ka prodhuar pasoja edhe për zhvillimet e mëvonshme në Evropën Lindore.
“Mendoj se ata e kanë hapur kutinë e Pandorës në Evropë dhe mendoj se janë fajtorë për atë që po ndodh sot në Evropën Lindore dhe për shumë gjëra të tjera, sepse sapo të hapësh një kuti të tillë, nuk ka kthim prapa”, tha ai.
Pavarësisht retorikës ndaj Prishtinës dhe faktorit ndërkombëtar, Vuçiç deklaroi se Serbia duhet të veprojë me “durim, përgjegjësi dhe zgjuarsi” dhe të mos ndërmarrë veprime të nxituara.