Kronike
Përplasje me armë zjarri në Prizren, vdes 31-vjeçari nga Kukësi
Një konflikt në një lokal nate mes 3 të rinjve nga Kukësi me disa persona nga Kosova ka përfunduar në të shtëna me armë. Për pasojë ka mbetur i vdekur një 31-vjecar nga Kukësi. Ngjarja ndodhi në dalje të Prizrenit.
Kukës/Informacion paraprak.
Në Morinë, rreth orës 04:25, të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjec, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C., dhe R. SH , ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës.
Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në lidhjen me ngjarjen, menjëherë nga DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës.
Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar.
Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.
Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.