Aktualitet
Përplasje për hartën territoriale/ Banorët e Maliqit: Nuk preket identiteti ynë
Banorët e Maliqit kanë dalë sërish në protestë kundër propozimit për riorganizimin territorial dhe bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë.
Me pankarta dhe thirrje kundër nismës së propozuar, protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre, duke argumentuar se shkrirja e bashkisë mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e zonës dhe në ruajtjen e identitetit të saj administrativ.
Banorët kërkojnë që qëndrimi i komunitetit të merret në konsideratë përpara çdo vendimmarrjeje dhe që procesi të mos zhvillohet pa konsultim me qytetarët. Në protestë është drejtuar edhe një thirrje ndaj deputetëve, të cilëve u kërkohet të dalin publikisht dhe të mbajnë qëndrim përballë propozimit për ndryshimin e hartës territoriale.
Sipas protestuesve, Maliqi ka nevojë për investime dhe mbështetje për zhvillimin e tij dhe jo për një ndryshim që, sipas tyre, do t’i hiqte zonës autonominë administrative dhe do të dobësonte identitetin e saj.
Protesta zhvillohet në një kohë kur debati për një riorganizim të ri territorial ka rikthyer shqetësimet në disa zona të vendit. Banorët e Maliqit shprehen të vendosur për të vijuar kundërshtimin e tyre dhe kërkojnë që çdo vendim për të ardhmen administrative të bashkisë të merret vetëm pas dëgjimit të zërit të komunitetit.