✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Pesë kategori akuzash ndaj Ballukut, SPAK çon dosjen në fazë vendimtare

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar zyrtarisht se më 20 tetor 2026 i ka komunikuar Belinda Ballukut akuzat përfundimtare në kuadër të procedimit penal ndaj saj. Ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës i janë komunikuar akuza që lidhen me procedurat e prokurimit publik, korrupsionin, deklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Sipas njoftimit të SPAK, Balluku akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste. Në listën e akuzave përfshihen gjithashtu korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë.

Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar asaj edhe akuzën për refuzim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave privatë, në dy raste. Një tjetër akuzë lidhet me pastrimin e produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në rrethana cilësuese të bashkëpunimit dhe përsëritjes, në lidhje me dy pasuri të paluajtshme.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:

“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
“Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).

Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale.  Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.

Advertisement