Connect with us

Politike

Pesë vende të BE-së propozim Komisionit, kërkojnë anëtarësim të përshpejtuar për Ballkanin Perëndimor

Pesë vende të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Komisionit Evropian të rishikojë mënyrën e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të bllokut, duke e konsideruar këtë si një mjet për t’i mbajtur kandidatët për anëtarësim larg ndikimit rus.

“Për të ruajtur vrullin e zgjerimit dhe për të çuar përpara integrimin evropian, nevojiten stimuj të fortë dhe tërheqës”, shkruajnë Austria, Republika Çeke, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia në një dokument konfidencial të shpërndarë mes 27 shteteve anëtare të BE-së në Bruksel të premten e kaluar, sipas raportimit të “Euroactiv”.

“Qasja e bazuar në meritë nëse është e nevojshme, hap pas hapi – në tregun e vetëm evropian përfaqëson një nxitje të tillë”, thuhet më tej në dokumentin e vendeve që janë pjesë e një grupi informal mbështetës të aspiratave të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE.

Sipas propozimit, modeli i quajtur “integrim sistematik sektorial” parashikon zgjerimin e pjesëmarrjes së vendeve si Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia në programe të ndryshme të BE-së, paralelisht me harmonizimin gradual të legjislacionit të tyre me rregullat e Brukselit.

“Integrimi gradual … duhet të ndiqet në mënyrë aktive dhe sistematike pasi një kandidat demonstron një nivel të lartë përputhjeje me rregullat e BE-së në sektorin përkatës”, thuhet në dokument.

Dokumenti parashikon edhe mekanizma mbrojtës në rastet kur një vend që ka përfituar qasje të veçantë në tregun e BE-së shënon regres në përmbushjen e standardeve.

Ndër sektorët që mund të përfshihen në këtë qasje renditen transporti, energjia dhe energjia elektrike, tregu unik dixhital, politikat e konkurrencës dhe strategjitë për lëndët e para kritike. Dokumenti përmend gjithashtu marrëveshjen e lëvizshmërisë së të rinjve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së si model që mund të zbatohet edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, dokumenti nuk arrin nivelin e ambicies së ideve të paraqitura nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, në një intervistë për Euractiv javën e kaluar, ku ai sugjeroi që vendet kandidate të fitojnë status vëzhguesi në institucionet e BE-së gjatë procesit të mbylljes së kapitujve negociues.

Milan Nič, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, u shpreh skeptik ndaj dokumentit, duke argumentuar se ai nuk sjell ndryshime thelbësore nga idetë e mëparshme.

“Tingëllon si një version pak më i sofistikuar i shtytjes së mëparshme për integrim gradual”, tha ai.

Autorët e dokumentit i kanë bërë thirrje komisioneres për zgjerimin, Marta Kos, të paraqesë iniciativa të reja në këtë drejtim.

“Kjo qasje do të zgjeronte dhe forconte tregun e vetëm, duke kontribuar në rëndësinë gjeoekonomike dhe autonominë strategjike të BE-së, ndërkohë që do t’i afronte kandidatët dhe do të ndihmonte në kundërshtimin e ndikimit të vendeve të treta”, thuhet në dokument.

Advertisement