Connect with us

Aktualitet

Pesë vite pa autobus, mijëra banorë në Vlorë kërkojnë transport urban

Mbi 5 mijë banorë dhe rreth 1 mijë biznese në aksin e Transballkanikes në Vlorë vijojnë të përballen me mungesën e transportit urban. Edhe pse kjo zonë është një nga më të populluarat e qytetit, prej më shumë se pesë vitesh në këtë segment nuk qarkullon asnjë autobus.

Banorët thonë se mungesa e linjës ua vështirëson ndjeshëm lëvizjen e përditshme, veçanërisht pensionistëve, personave me probleme shëndetësore dhe familjeve që nuk disponojnë automjete private.

Sipas tyre, përdorimi i taksive është një kosto që jo të gjithë mund ta përballojnë, ndërsa distancat e gjata i detyrojnë shumë qytetarë të ecin në këmbë për të shkuar në punë apo për të kryer shërbime.

“Duhet për ata që ikin në punë, për pensionistët, për të gjithë. Zona ka shumë njerëz dhe autobusi është i domosdoshëm”, shprehen banorët.

Në këtë aks ndodhen disa nga blloqet më të mëdha të banimit në Vlorë, si “24 Maji”, “Kushtrimi” dhe “1 Maji”. Qytetarët kërkojnë rikthimin e transportit urban, duke e cilësuar një nevojë urgjente për komunitetin.

Ndërkohë, kompania që operon shërbimin e transportit urban në qytet e justifikon mungesën e linjës me numrin e ulët të pasagjerëve, argument që kundërshtohet nga banorët, të cilët thonë se kërkesa për një autobus në këtë zonë është e vazhdueshme.

Advertisement