Connect with us

Kosova

Picula trondit Beogradin: Funerali i Mlladiçit tregon lidhjen e Serbisë me krimet në Kosovë, Bosnje e Kroaci

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka reaguar ashpër ndaj mundësisë së pjesëmarrjes së zyrtarëve serbë në funeralin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskas, Ratko Mlladiq.

Picula vlerëson se prania e përfaqësuesve të institucioneve të Serbisë në ceremoninë mortore nuk mund të trajtohet si një çështje e zakonshme apo simbolike. Sipas tij, pjesëmarrja e zyrtarëve të Beogradit do të ishte një tregues i qartë i shkallës së identifikimit të autoriteteve serbe me figurën e Mlladiqit dhe me krimet për të cilat ai është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Në një reagim të publikuar në platformën X, Picula kritikoi ashpër deklaratat që vënë në pikëpyetje vendimet e Tribunalit të Hagës. Ai tha se këto “sulme toksike” ndaj drejtësisë ndërkombëtare janë dëshmi se në Beograd vazhdon të jetë i pranishëm narrativa që e paraqet Mlladiqin si një viktimë të pafajshme të sistemit ndërkombëtar të drejtësisë.

Sipas Piculës, një qasje e tillë nuk duhet të kalojë pa reagim nga Bashkimi Evropian.

Ai kërkoi që BE-ja të mbajë një qëndrim të qartë ndaj deklaratave dhe zhvillimeve të tilla, duke theksuar se plagët e luftërave të viteve ’90 vazhdojnë të jenë të hapura në rajon.

“Reagimi i BE-së duhet të jetë adekuat, sepse pasojat e agresionit të Serbisë së Madhe kundër Republikës së Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës në vitet 1990 ende nuk janë absorbuar”, deklaroi Picula.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur figura e Ratko Mlladiqit vazhdon të jetë një prej çështjeve më të ndjeshme në raportet mes Serbisë, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Bashkimit Evropian.

Advertisement