Connect with us

Politike

PIKETAT E NGULURA/ Shqipëria synon mbylljen e 10 kapitujve të parë të negociatave me BE-në

Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, deklaroi se Tirana zyrtare po punon intensivisht për mbylljen teknike të të paktën 10 kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit.
Gjatë mbledhjes periodike të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Dhuka bëri të ditur se qëndrimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian kanë përcaktuar tashmë piketat mbyllëse për negociatat e anëtarësimit.
Sipas saj, deri më tani Shqipëria ka marrë 101 piketa mbyllëse nga Unioni, ndërsa puna po vijon paralelisht në të gjitha fushat e negociatave.
Shqipëria pret vlerësimin për tre kapituj
Dhuka u shpreh se Shqipëria vlerëson se ka përmbushur përgjithësisht përgatitjet teknike për mbylljen e tre kapitujve:
Kapitulli 30-Marrëdhëniet me Jashtë;
Kapitulli 25 – Kërkimi Shkencor;
Kapitulli 26 – Arsimi.
Megjithatë, ajo theksoi se tashmë pritet vlerësimi nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së.

Kryenegociatorja tha gjithashtu se po vijon avancimi edhe në një sërë kapitujsh të tjerë, përfshirë:
Kapitullin 20- Politika Industriale;
Kapitullin 6- Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare;
Kapitullin 7 – E drejta e pronësisë intelektuale;
Kapitullin 32- Kontrolli Financiar;
Kapitullin 5-Prokurimi Publik;
Kapitujt 4 dhe 17 – Politika Monetare dhe Shërbimet Financiare
“Themeloret”, fokusi kryesor i procesit
Sa i përket grupkapitullit të “Themeloreve”, Dhuka tha se ato mbeten garancia institucionale dhe politike e gjithë procesit të anëtarësimit.
Ajo nënvizoi se fokusi aktual është përqendruar te shteti i së drejtës dhe bashkëpunimi ndërinstitucional për përmbushjen e piketave të ndërmjetme.
Sipas saj, institucionet shqiptare, përfshirë Kuvendin, institucionet e pavarura të drejtësisë dhe Qeverinë, kanë punuar së bashku për të përmbushur 24 piketa të ndërmjetme përmes 92 nismave të rëndësishme.
Dhuka bëri të ditur se Bashkimi Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për përmbushjen e këtyre piketave, ndërsa diskutimet vijojnë në Këshillin e vendeve anëtare.

Advertisement