Aktualitet
PLAN I POSAÇEM/ POLITICO: BE PO PERGATIT UDHERREFYES PER ANETARESIMIN E SHQIPERISE
Një plan i ri i Bashkimit Evropian mund t’i japë Shqipërisë një rrugë më të qartë drejt anëtarësimit.
Komisioni Evropian po përgatit udhërrëfyes të posaçëm për katër vendet kandidate që konsiderohen më të avancuara në procesin e integrimit.
Në këtë grup janë Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia.
Sipas një raportimi të Politico, planet synojnë të përcaktojnë më qartë reformat që duhet të përmbushë secili vend, objektivat kryesore dhe afate orientuese për avancimin dhe përfundimin e negociatave.
Pra, nga një proces me hapa të shpërndarë, BE-ja po shqyrton mundësinë e një rruge më të strukturuar, ku vendet kandidate të dinë më qartë se çfarë kërkohet prej tyre dhe cilat janë etapat e ardhshme.
Shqipëria do të jetë pjesë e grupit të vendeve prioritare, nëse propozimi miratohet nga vendet anëtare.
Komisioni Evropian ka konfirmuar se nisma është në përgatitje dhe se udhërrëfyesit do të përmbajnë prioritete, objektiva dhe afate për vendet që kanë bërë më shumë progres.
Por vendimi nuk është marrë ende.
Propozimet duhet të marrin mbështetjen e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Një tjetër element i rëndësishëm është vendosja e afateve orientuese për grupkapitujt e negociatave.
Kjo do t’u jepte vendeve kandidate një panoramë më të qartë mbi reformat që duhet të përfundojnë dhe kohën e pritshme për avancimin në negociata.
Në të njëjtën kohë, edhe vendet anëtare do të kishin përgjegjësi për të mbështetur avancimin e procesit.
Por jo të gjitha vendet kandidate janë pjesë e këtij plani.
Sipas burimeve të cituara nga Politico, në këtë fazë nuk parashikohet që udhërrëfyes të ngjashëm t’u ofrohen Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të vizitojë rajonin gjatë kësaj jave, përfshirë Shqipërinë.
Për Tiranën, mesazhi është i rëndësishëm: Shqipëria është përfshirë në grupin e katër vendeve për të cilat Brukseli po shqyrton një rrugë më konkrete drejt përfundimit të negociatave.
Por hapi vendimtar mbetet miratimi i propozimit dhe, mbi të gjitha, përmbushja e reformave të kërkuara nga Shqipëria.