Kronike
Po dërgonte vajzën në spital, shoferi humb kontrollin dhe makina përmbyset
Një automjet është përmbysur mesditën e sotme në një prej akseve rrugore të Durrësit, pasi drejtuesi dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit.
Ngjarja ka ndodhur në aksin që lidh kryqëzimin e stadiumit me Drejtorinë e Policisë dhe spitalin, një zonë e frekuentuar dhe me lëvizje të shumta automjetesh.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti tip “Hyundai Tucson” është përmbysur në rrugë teksa po lëvizte në drejtim të spitalit. Mësohet se drejtuesi i mjetit ishte nisur për të marrë ndihmë mjekësore për vajzën e tij, e cila kishte temperaturë të lartë.
Pavarësisht përplasjes dhe përmbysjes së automjetit, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar. Në vendngjarje kanë mbërritur autoritetet, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.