Kronike
Po kalonte në vijat e bardha, aksidentohet 45-vjeçarja
Një aksident i rëndë ka ndodhur në qendër të qytetit të Beratit, ku një 45-vjeçare është përplasur nga një makinë.
Një automjet, tip “Benz”,me targa AB 367 DI, ka përplasur një grua që ishte duke kaluar në vijat e bardha.
E aksidentuara po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrin së bashku me një grua tjetër, që fatmirësisht nuk është prekur nga mjeti. 45-vjeçarja ka qëndruar e shtrirë në rrugë për disa minuta, deri në mbërritjen e ambulancës, që e ka transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të sektorit të qarkullimit rrugor dhe të ndërhyrjes së shpejtë.
Policia është duke kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e aksidentit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se mjeti ishte duke qarkulluar me shpejtësi nga drejtimi i stadiumit të vjetër drejt stadiumit të ri.
Burime nga Spitali Rajonal Berat bëjnë me dije se,45-vjeçarja e aksidentuar ka marrë plagë të shumta në trup dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas ekzaminimeve të para që do të kryhen, mjekët do të përcaktojnë nëse do ta transportojnë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë apo jo.