Aktualitet
‘Po më vret, po më vret…’/ Sherr në protestë, “lufta” për mikrofonin rrëzon podiumin
Prej javësh tanimë, protestuesit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpos kërkesës për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe klasës së vjetër politike, duket se po kërkojnë edhe “rrëzimin” e njëri-tjetrit.
Një tjetër incident është regjistruar mbrëmjen e së dielës në kryeqytet, pikërisht aty ku prej 84 ditësh qytetarë që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë, por edhe emigrantë, mblidhen për të kërkuar largimin e politikanëve.
Edhe kësaj here, ashtu sikurse në rastet e mëparshme, “shkak” për përplasjen është bërë pikërisht mikrofoni, për të cilin prej ditësh ka pasur akuza se është i privatizuar dhe se jo të gjithë protestuesit kanë mundësi të flasin lirshëm.
Në videon e publikuar nga protesta dëgjohet një qytetare teksa kërkon të marrë fjalën: “Jemi shqiptarët dhe kemi të drejtë të flasim për të gjithë shqiptarët”.
Ndërkohë, një prej personave që mesa duket është përgjegjës për podiumin dëgjohet teksa i drejtohet qytetares me fjalët: “Mbaroi, mbaroi”, duke lënë të kuptohet se koha e protestës kishte përfunduar dhe se qytetarja nuk do të mund të vijonte të fliste.
Situata u tensionua edhe më tej, pasi podiumi u rrëzua ndërkohë që mbi të ndodheshin dy vajza.
Përplasja për mikrofonin nuk është një situatë e panjohur në këtë protestë, pasi edhe më herët janë shënuar debate dhe tensione mes protestuesve pikërisht për mënyrën se si menaxhohet podiumi dhe kush ka të drejtën për të marrë fjalën/ joq