Politike
Po përgatitet për zgjedhje të parakohshme? Rama kërkon dorëheqjen e gjithë drejtorëve…
Kryeministri Edi Rama raportohet se u ka kërkuar ministrave të nisin një proces për largimin e drejtuesve të institucioneve në varësi të tyre, në një kohë kur qeveria po përballet me protestat e zhvilluara në Tiranë.
Sipas burimeve të Top Channel, Rama i ka kontaktuar ministrat nga Budva, ku ndodhet, duke u kërkuar të mbledhin drejtuesit e institucioneve në varësi dhe t’u kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme. Deri tani, kërkesa raportohet nga burimet mediatike, ndërsa nuk ka një njoftim zyrtar për zbatimin e saj.
Në ditët në vijim pritet që kryeministri të komunikojë publikisht për këtë çështje. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse nisma lidhet me pakënaqësinë ndaj funksionimit të administratës, me situatën e krijuar nga protestat apo me një riorganizim më të gjerë institucional. Nuk ka të dhëna zyrtare që të konfirmojnë se ky veprim lidhet me përgatitjet për zgjedhje të parakohshme.
Gjatë daljeve të fundit publike, Rama ka kritikuar administratën për vonesat në trajtimin e kërkesave të qytetarëve. Një javë më parë, ai paralajmëroi masa ndaj drejtuesve që nuk respektojnë afatet për dhënien e përgjigjeve dhe zgjidhjen e problematikave të qytetarëve.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, deklaroi Rama.