✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Po planifikonte gjakmarrjen/ Parandalohet vrasja, 37-vjeçari do merrte hak për sulmin ndaj vëllait

Policia e Lezhës ka arrestuar një 37-vjeçar, i cili dyshohet se po përgatitej të kryente një akt hakmarrjeje për vëllain e tij, I.L, i vrarë më 9 korrik 2026 në Kurbin. Sipas policisë, ndërhyrja u krye në kuadër të operacionit të koduar “Argos”, përmes të cilit u parandalua një ngjarje e dyshuar kriminale.

Në pranga është vënë E.G i njohur edhe me aliaset B dhe L. Sipas uniformave blu, 37-vjeçari u ndalua në Fushë Milot, teksa drejtonte një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, të blinduar dhe me targa gjermane.

Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti një armë zjarri automatike të tipit “Skorpion”, si dhe një krehër me 16 fishekë luftarakë. Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari rezulton me precedentë të mëparshëm kriminalë.

Autoritetet dyshojnë se 37-vjeçari po përgatitej të ndërmerrte një veprim hakmarrës pas vrasjes së vëllait të tij në korrik të këtij viti. Megjithatë, rrethanat e plota dhe provat që mbështesin dyshimet për planifikimin e një ngjarjeje të re kriminale do të vlerësohen gjatë hetimeve.

Njoftimi i Policisë: 

Lëvizte i armatosur dhe me automjet të blinduar, me targa gjermane, arrestohet në Fushë Milot, vëllai i 40-vjeçarit.
I arrestuari, shtetas me precedent kriminal. Sekuestrohen 1 armë zjarri automatike tip “Skorpion” municion luftarak dhe automjeti tip “Mercedes-Benz ML”.

Si rezultat i monitorimit permanent të situatës në qark, nëpërmjet punës intensive operative dhe kontrolleve, si dhe si rezultat i analizimit dhe ndjekjes në dinamikë të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të lidhura me to dhe parandalimin e krimeve në përgjithësi, specialisët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Operacional të Hetimit dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Argos”.

Në kuadër të operacionit u parandalua një vrasje, dyshohet për hakmarrje në lidhje me vrasjen e shtetasit I. Gj. alias I. L. alias I. K. alias I. N., 40 vjeç, kryer më datë 09.07.2026, në Kurbin. Po në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi E.(G.) B.(L.), 37 vjeç, banues në Kurbin, me precedent për përfshirje në ngjarje kriminale të mëparshme (vëllai i 40-vjeçarit).

Automjeti tip “Mercedes-Benz ML”, i blinduar dhe me targa gjermane, që drejtonte 37-vjeçari, u ndalua në Fushë Milot. Gjatë kontrollit fizik, 37-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri automatike tip “Skorpion” me një krehër me 16 fishekë. Vijojnë intensivisht hetimet dhe puna policore, për kapjen e autorit të vrasjes së 40-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e rrethanave të saj. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Advertisement