Connect with us

Aktualitet

Policia me dorë të hekurt, mbi 400 drejtues mjetesh gjobiten për shpejtësi

Policia Rrugore ka vijuar kontrollet në akset e qarkut Shkodër gjatë periudhës 30 korrik–6 gusht 2026, me fokus respektimin e rregullave të qarkullimit dhe sigurinë rrugore gjatë sezonit veror.

Sipas të dhënave të Policisë, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 1223 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Numrin më të madh e përbëjnë shkeljet për tejkalim të shpejtësisë, me 471 masa të vendosura.

Kontrollet janë kryer me radarë, dronë dhe automjete inteligjente në akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, ndërsa autoritetet thonë se monitorimi ka synuar edhe menaxhimin e trafikut për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve.

Përveç masave për shpejtësinë, janë evidentuar 72 raste të parakalimeve të gabuara, 329 raste të ndalimit ose qëndrimit të parregullt, 57 raste të mosvendosjes së kaskës mbrojtëse dhe 28 raste të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit. Për shkelje të tjera janë vendosur 266 masa administrative.

Gjatë së njëjtës periudhë, një drejtues mjeti është arrestuar dhe një tjetër është proceduar penalisht për vepra që lidhen me drejtimin e parregullt të automjetit dhe shkeljen e rregullave të qarkullimit. Gjithashtu, një leje drejtimi është pezulluar.

Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut, ndërsa u kërkon drejtuesve të respektojnë rregullat e qarkullimit për të shmangur rrezikimin e përdoruesve të rrugës.

Advertisement