Shkrime
Politika ‘heshti’, Sheshi foli
Sheshi “Skënderbej” në Tiranë u mbush me mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare për të shprehur mbështetjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë, të gjykuar nga Gjykata Speciale.
Në kontrast të dukshëm me praninë masive popullore, politika shqiptare zgjodhi të qëndrojë në prapaskenë, duke mos u përfshirë fizikisht në protestë, por duke reaguar përmes deklaratave në distancë.
Një zgjedhje kjo, paçka një kauze që tradicionalisht ka bashkuar politikën shqiptare përtej ndasive.

Protesta nisi me himnin kombëtar dhe u shoqërua me thirrje si “Unë jam UÇK” dhe “Liri për çlirimtarët”, teksa flamujt kombëtarë dhe uniformat e UÇK-së dominuan sheshin në zemër të kryeqytetit.
Nëse protestës do t’i bashkoheshin zyrtarë të lartë të qeverisë ose opozitës, ekzistonte rreziku që të etiketohej si ‘ngjarje politike’.
Duke qëndruar larg fizikisht, politika shqiptare kërkoi të shmangte perceptimin se po “kapte” një protestë që në thelb ishte e qytetarëve.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një reagim në mediat sociale, e quajti UÇK-në “themeli i lirisë së Kosovës” dhe “krenari e historisë kombëtare shqiptare”, duke dhënë një mesazh institucional mbështetës, por të rezervuar, në përputhje me rolin e tij kushtetues.
Kryeministri Edi Rama, nga ana tjetër, zgjodhi një formë komunikimi minimaliste, duke ndarë pamje nga protesta me përshkrimin “Zemra mal” – një shprehje simbolike në një qëndrim që reflekton përpjekjen e ekzekutivit për të mos e politizuar protestën, por njëkohësisht duket si një përpjekje për të shmangur edhe përballjet me ndjeshmëritë ndërkombëtare, veçanërisht në raport me drejtësinë ndërkombëtare.
Ndërkohë në një deklaratë të gjatë zyrtare, PD e cilësoi luftën e UÇK-së si një nga faqet më të ndritura të historisë shqiptare, duke theksuar rolin e saj vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe partneritetin strategjik me NATO-n në fushatën e vitit 1999.
Gjithashtu vuri në dukje se gjatë procesit në Hagë nuk janë paraqitur prova konkrete për akuzat ndaj ish-udhëheqësve si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerëve, ndërsa akuzat më të rënda si ajo e “tregtisë me organe” janë rrëzuar.
Megjithatë, Partia Demokratike e gjeti veten nën kritika për mungesën fizike të përfaqësuesve të saj në shesh, gjë që u përpoq ta shpjegonte duke mohuar çdo urdhër për mospjesëmarrje dhe duke e konsideruar spekulimin si pjesë e një skeme përçarëse të mazhorancës.
Në këtë kontekst, qëndrimi i politikës shqiptare tregon një dilemë të qartë mes mbështetjes morale dhe strategjisë institucionale.

Nga njëra anë, nuk ka asnjë subjekt politik që të mos ketë shprehur me fjalë mbështetje për UÇK-në dhe drejtësinë për ish-krerët e saj; nga ana tjetër, shmangia e pranisë në protestë tregon për ruajtjen e balancës diplomatike, sidomos në një moment ku Shqipëria kërkon të luajë një rol aktiv në politikën e jashtme dhe integrimin evropian.
Përpos këtyre, protesta e 17 tetorit konfirmoi një të vërtetë që politika shqiptare e njeh: çështja e UÇK-së është çështje identitare, jo thjesht historike.
Për shqiptarët në të gjitha trojet, ajo është simbol i sakrificës, çlirimit dhe dinjitetit kombëtar.
Në këtë kuptim, heshtja fizike e politikës në një ngjarje kaq domethënëse është e vështirë të mos lexohet si një përpjekje për të ruajtur neutralitetin institucional.
Në këtë rast, mungesa është po aq mesazh sa edhe vetë prania.
Megjithatë, protesta në Tiranë ishte një dëshmi e gjallë e lidhjes emocionale dhe historike të shqiptarëve me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Tregoi edhe një herë se, përtej politikës dhe retorikës diplomatike, ekziston një narrativë e fuqishme popullore që nuk mund të injorohet.
