Kronike
“Pothuajse 50% më pak”/ Hita zbulon bilancin e kriminalitetit në Shkodër
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka kërkuar forcimin e masave parandaluese dhe goditëse ndaj kriminalitetit në qarkun e Shkodrës, me fokus te grupet kriminale, personat që qarkullojnë me armë apo drogë dhe trafikimi i emigrantëve të paligjshëm.
Gjatë një takimi me strukturat e Policisë së Shkodrës, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, Hita tha se treguesit e kriminalitetit për disa kategori janë përmirësuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas tij, krimet e rënda, plagosjet dhe vjedhjet me dhunë janë ulur me rreth 50 për qind.
“Krimet e rënda, plagosjet dhe vjedhjet me dhunë janë pothuajse 50% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht kësaj statistike, krimet kundër personit, kryesisht ato të mbartura nga vitet e kaluara, janë probleme që kërkojnë angazhim maksimal dhe profesionalizëm”, tha Hita.
Ai kërkoi gjithashtu vijimin e punës për rihapjen dhe analizimin e dosjeve të vjetra, veçanërisht ato që lidhen me vrasje të ndodhura në vitet e kaluara.
“Në këtë kuadër, besoj se, në zbatim të porosisë që ju kam lënë, po vijoni me studimin e të gjitha dosjeve të vjetra dhe me analizën e vrasjeve të së kaluarës”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Në fokus të takimit ishte edhe lufta kundër kultivimit të kanabisit. Hita theksoi se objektivi nuk duhet të jetë vetëm asgjësimi i bimëve, por goditja e organizatorëve dhe financuesve të aktivitetit kriminal.
Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, gjatë këtij viti janë asgjësuar rreth 122 mijë fidanë kanabisi përpara se të hidhen në tokë për kultivim. Në të njëjtën fazë të vitit të kaluar, sipas Policisë, ishin asgjësuar rreth 8 mijë e 500 fidanë.
Hita kërkoi gjithashtu që siguria në shkolla të mbetet një prioritet, duke përfshirë sigurinë rrugore dhe ushqimore, sigurinë kibernetike, si dhe parandalimin dhe goditjen e çdo tentative për shitje droge në perimetrin e institucioneve arsimore.
Një tjetër kërkesë e drejtuesit të Policisë ishte respektimi i standardeve të larta të etikës dhe profesionalizmit nga efektivët, veçanërisht në një qark me numër të lartë vizitorësh dhe turistësh.
“Shkodra është qark që frekuentohet nga shumë vizitorë e turistë dhe kjo kërkon më shumë etikë e angazhim. Ne jemi këtu për t’u shërbyer qytetarëve, për të zbatuar ligjin dhe për të goditur këdo që e shkel atë, pa dallim. Kjo është detyra dhe përgjegjësia jonë”, tha Hita.
Në përfundim të takimit, një punonjës i Policisë së Shkodrës dhe një punonjëse e strukturave të Kufirit dhe Migracionit u vlerësuan me certifikata “Për shërbime të dalluara”, të dorëzuara në prani të ministrit të Brendshëm.