Connect with us

Kosova

Profesori grek akuzon Kurtin, Vuçiçin dhe BE-në: Nuk kanë përkushtim

Nikolaos Tzifakis, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Peloponezit, vlerëson se problemi kryesor për ngecjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk është formati i negociatave, por mungesa e angazhimit nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces.

Në një prononcim në prag të përmbylljes së një viti që ka qenë vërtetë vit i rrethanave të jashtëzakonshme e rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese, ai konsideron se as kryeministri Albin Kurti, dhe as presidenti Aleksandër Vuçiç, nuk janë të interesuar për ta çuar përpara procesin e normalizimit dhe zbatimin e obligimeve.

Procesi i dialogut pritej të hynte në fazën përmbyllëse dhe marreveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përkundër se nuk mbart pëlqimin dhe angazhimin e qartë të të dy palëve – jo vetëm për faktin që të dy vendet nuk e kanë nënshkruar – planifikohej të arrihej në kryeqytetet evropiane në fund të vitit 2023, por se ky afat nuk është arritur.

“Nuk është rastësi që marrëveshja ka mbetur e panënshkruar. Presidenti Vuçiç mendon se nuk ka asgjë për të fituar aktualisht nga një proces që ka një kosto të konsiderueshme politike. Kryeministri Kurti nuk është i interesuar për të përmbushur Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nëse nuk ka normalizim të marrëdhënieve”, theksoi Tzifakis, i cili drejton Qendrën “Jean Monnet” për Politikën e Jashtme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke iu referuar përpjekjeve të ripërtërira të bashkësisë së organizuar perëndimore, deklaroi se atyre mund t’iu shkojë përshtati status quo-ja, përderisa nuk shpërthen ndonjë krizë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë bërë pjesë e një problemi më të madh të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se nën hijen e konflikteve të mëdha, papritur shpërthejnë konfliktet e ngrira, mirëpo profesori grek nuk mendon se paqëndrueshmëria rajonale në Ballkanin Perëndimor importohet nga jashtë ose nxitet nga fuqitë e jashtme.

Ai nënvizoi se thyerjet dhe prapësimet e kohërave të krizave krijojnë tokë pjellore për nacionalizmin, ndërsa liderët rajonalë kanë interes që konflikti të vazhdojë për të përforcuar pushtetin, duke iu referuar kryesisht presidentit serb, ndaj të cilit, sipas tij, bashkësia e organizuar perëndimore ka treguar “durim të jashtëzakonshëm” për shkak të konsideratave gjeopolitike.

“Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor – të cilët nuk janë të interesuar për të realizuar reformat – luajnë kartën e nacionalizmit për të përjetësuar pushtetin dhe për t’u bërë të dobishëm për komunitetin ndërkombëtar si portierë të stabilitetit rajonal… Në Perëndim besohet se në këtë mënyrë Serbia nuk do të shtyhet në krahët e Rusisë”, nënvizoi Tzifakis.

Advertisement

TRENDING