Connect with us

Politike

Protesta dhe opozita/ Hasimja: PD-ja gaboi, e ktheu vonë kursin, pati luhatje dhe pavendosmëri

Për analistë të politikës, mëdyshja e PD-së për të mbështetur revoltën qytetare tregoi se partia kryesore e opozitës pati luhatje dhe pavendosmëri, ndërsa kthimi i kursit konsiderohet si i vonuar.
“PD gaboi me qëndrimin fillestar ndaj protestës”- i tha BIRN-it Ermal Hasimja, pedagog i Shkencave Politike, qëndrim, që sipas tij, tregoi “luhatje dhe pavendosmëri”.
Por, gjithsesi, ai beson se qëndrimi fillestar i Berishës më shumë u keqinterpretua se sa ishte një sulm ndaj protestës.
“Në fakt nuk kundështoi protestën, por mbështeti përfshirjen amerikane të investimit dhe sulmoi ata që futen në një thes Ramën dhe opozitën dhe kjo u interpretua si kundërshtim”- shtoi ai.

Për Hasimen, slogani që barazon Ramën me Berishën nuk i shërben kauzës së protestës dhe duket sikur i përshtatet “strategjisë së Rilindjes që praktikisht ka qenë të bindë elektoratin se të gjithë janë njësoj”.

“Njerëzit mund të jenë të zhgënjyer nga e gjithë elita politike, por në këtë moment barazimi i përgjegjësive heq fokusin nga përgjegjeësi real që është qeverisja socialiste,” theksoi ai.

Edhe Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qendresa Qytetare” e konsideron të vonuar reflektimin dhe përkrahjen e PD-së për këtë protestë dhe e lidh këtë me interesat politike të vetë Berishës.

“Interesa të tjera të lidhura me familjen Trump dhe projektin e Zvërnecit prevaluan tek lideri i PD-së mbi interesin e qytetarëve,” i tha ai BIRN.

Sipas Xhemollarit, protesta krijoi edhe përçarje brenda vetë partisë, mes atyre që donin të ishin në protestë dhe atyre që dolën kundër, siç ishte sekretari i përgjithshëm, Flamur Noka. “Edhe media e gazetarë pranë PD-së ndoqën linjën e baltosjes dhe sulmit ndaj protestës,” shtoi ai për ditët e para të protestës.

Sipas Xhemollarit, vetëm kur e panë që nuk ia dolën t’a zhbëjnë vendosën ta mbështesin, por duke mbyllur veshët ndaj sloganit kryesor ‘Rama n’burg Berisha n’Burg’, slogan që lidhet me sjelljen e kësaj partie ndaj partisë në pushtet apo në qeverisjen e saj të mëparshme.

“Qytetarët në protestë e bëjnë bashkëfajtore PD-në për pazaret dhe marrëveshjet në kurriz të interesit kombëtar, ata e shohin njëlloj si armike të SPAK-ut dhe drejtësisë së re dhe nuk kanë besim se kjo opozitë ju ofron një sistem politiko-ekonomik të drejtë,” përfundon ai

Advertisement