Aktualitet
PROTESTA E DITES SE PARE, GJYKATA VENDOS: 5 NE ARREST SHTEPIE, TRE DETYRIM PAARQITJE
Gjykata ka lënë në burg një prej protestuesve të arrestuar gjatë ditës së parë të protestës. Sipas informacioneve paraprake, bëhet me dije se në burg është lënë Abdullah Thaçi. Ndërkohë 6 prej protestuesve iu është komunikuar masa ‘arrest shtëpie’, ndërsa 12 të tjerë iu është caktuar masa ‘detyrim paraqitje’
….
22 protestuesit e arrestuar në ditën e parë të protestës (13 tetor), kanë dalë sot në orën 08:30 para gjykatës për masën e sigurisë.
5 prej tyre janë lënë nën arrest shtëpie dhe 3 të tjerë, mes të cilëve një vajzë, nën detyrim paraqitjeje, ndërsa tani vijon seanca për 19 të tjerët. Seanca, ku gjyqtare është Amarilda Sulaj, po zhvillohet në grupe për shkak të kufizimit të ambienteve.
Brenda në gjykatë më herët erdhën edhe forca policore me skafandër e maskë gazi, për të qenë në çdo rast gati nëse ka përshkallëzim të situatës, e cila deri tani është e qetë.
Një pjesë e mirë prej protestuesve ishin të maskuar kur ndodhën sulmet. Më i riu që u arrestua është 23 vjeç, ndërsa të tjerët janë nga 27 deri në 59 vjeç. Mes tyre ka edhe persona të moshave 48, 52, 55 dhe 57 vjeç.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë 8 vepra penale, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nën hetim përfunduan edhe 49 persona, si dhe u lënduan 6 policë.
Dita e parë e protestës përkoi me sulmet ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, te bizneset e bankomatet e shkatërruara, koshat e mbeturinave në flakë dhe përplasjet me Policinë, kryeqyteti u përfshi nga akte të dhunshme dhe vandalizmi.