✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Protesta e kamionistëve paralizon jugun e Italisë, rrezikohet prodhimi i makaronave

Protesta e shoferëve të kamionëve në jug të Italisë po shkakton ndërprerje të furnizimeve, mungesa të produkteve ushqimore dhe vështirësi për industrinë vendase. Bllokimi i rrugëve, autostradave dhe porteve, në kundërshtim me rritjen e çmimeve të karburanteve dhe kostove të transportit, ka vënë në rrezik edhe prodhimin e makaronave, një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë italiane.

Sipas Reuters, prodhuesi i makaronave Rummo, me seli në rajonin e Kampanias, njoftoi të martën pezullimin e aktivitetit për shkak të mungesës së lëndëve të para. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Cosimo Rummo, deklaroi se probleme të ngjashme po përballojnë pothuajse të gjithë prodhuesit e mëdhenj të makaronave në rajonin e Pulias.

Kampania dhe Pulia, së bashku me Sicilinë, janë ndër qendrat kryesore të prodhimit të makaronave në Itali. Sipas paralajmërimit të Rummos, një pjesë e madhe e prodhimit kombëtar është ndalur ose rrezikon të pezullohet nëse furnizimi me lëndë të para nuk rikthehet në normalitet.

Vështirësi po raporton edhe kompania La Molisana, e cila ka selinë në rajonin e Molizes. Prodhuesi ka regjistruar rënie të ndjeshme të aktivitetit dhe po shfrytëzon rezervat e grurit dhe semolinës për të vijuar prodhimin. Ndërkohë, organizata bujqësore Confagricoltura paralajmëron se prodhuesit në Sicili mund të detyrohen të asgjësojnë sasi të mëdha produktesh që prishen shpejt, nëse transporti nuk rifillon.

Pasojat po shtrihen edhe në tregjet ushqimore. Në Romë, Centro Agroalimentare Roma, tregu më i madh me shumicë i frutave dhe perimeve në Itali, ka raportuar mungesa të domateve, specave dhe rrushit. Sipas institucionit, bllokimet dhe kostot e rritura të transportit po ushtrojnë presion mbi çmimet dhe po shtojnë varësinë nga importet, përfshirë furnizimet nga Spanja dhe Shqipëria.

Situata paraqitet më e vështirë në disa zona të jugut të vendit, ku raportohen rafte të zbrazura në supermarkete dhe radhë në pikat e karburantit. Në qytetin e Locrit, në provincën e Rexho Kalabrisë, banorët po përpiqen të sigurojnë produktet bazë. Zineb Boutimah, 45 vjeçe, tregoi se kishte udhëtuar drejt një qyteti fqinj për të blerë miell dhe ushqime të tjera që konsumon zakonisht. Ndërsa Elena Lombardo, 78 vjeçe, tha se një punonjës i një pike karburanti e kishte këshilluar të mbushte serbatorin të hënën, pasi nuk kishte siguri nëse do të kishte furnizim të nesërmen. Të martën, pika ishte e mbyllur.

Protesta nisi javën e kaluar me bllokime në Sicili dhe në pjesë të tjera të jugut të Italisë. Transportuesit kundërshtojnë rritjen e çmimeve të karburanteve dhe kostot e larta të operimit, të cilat, sipas tyre, po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë vazhdimin e aktivitetit.

Vincenzo Aleccia, president i konsorciumit të transportuesve në Trapani të Sicilisë, pranoi se ndërprerjet kanë pasoja të mëdha, por këmbënguli se protesta është paqësore dhe synon të mbrojë interesat e qytetarëve, pasi rritja e kostove prek të gjithë konsumatorët.

Përballë situatës, qeveria italiane po përgatit një paketë të re mbështetjeje për transportuesit rrugorë. Pas një takimi me përfaqësuesit e sektorit të martën, zëvendësministri i Infrastrukturës, Edoardo Rixi, njoftoi se pritet të vihen në dispozicion më shumë se 150 milionë euro ndihmë.

Ndërkohë, administrata e kryeministres Giorgia Meloni po përgatit masa më të rrepta sigurie pas trazirave të fundjavës në Milano dhe qytete të tjera të veriut, në një klimë protestash të lidhura me inflacionin dhe rritjen e kostove të jetesës.

Përmasat e rrezikut ekonomik janë të konsiderueshme. Sipas një raporti të publikuar në shtator nga European House-Ambrosetti, zinxhiri italian i prodhimit dhe shpërndarjes së makaronave gjeneroi 13,5 miliardë euro të ardhura gjatë vitit të kaluar. Nëse bllokadat vazhdojnë, pasojat mund të prekin jo vetëm prodhimin industrial, por edhe furnizimin me ushqime dhe disponueshmërinë e karburantit në vend.

Advertisement