Aktualitet
Protestat e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah një realitet që nuk mund të fshihet më
Nga Dritan Demiraj
Të nderuar bashkëqytetarë,
Protestat e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah një realitet që nuk mund të fshihet më. Shumica e shqiptarëve nuk pranojnë që Shqipëria të vazhdojë të keqdrejtohet, të grabitet dhe të përdoret si pronë private në funksion të interesave të një grushti njerëzish të lidhur me pushtetin anti Shqiptar te Rilindjes.
Kërkesa numër një dhe e panegociueshme e këtyre protestave duhet të jetë largimi i qeverisë së Edi Ramës. Pa realizimin e këtij objektivi, çdo kërkesë tjetër mbetet e pjesshme dhe pa vlerë reale për ndryshimin që kërkojnë qytetarët.
Këto protesta kanë nxjerrë gjithashtu në dritë zhgënjimin e thellë të popullit shqiptar ndaj klasës politike në tërësi. Për këtë arsye, pas zgjidhjes së krizës aktuale, vendi ka nevojë për reforma të thella politike, institucionale dhe kombëtare që t’i japin fund njëherë e përgjithmonë kulturës së pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Nesër, në përvjetorin e Lidhja e Prizrenit, i bëj thirrje çdo shqiptari, kudo që jeton, në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqiptare, t’u bashkohet protestuesve paqësorë.
Historia na kujton se në momentet më të vështira të kombit, shqiptarët kanë ditur të lënë mënjanë ndasitë dhe të bashkohen për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Ashtu si në vitin 1878, kur rreziku ndaj kombit kërkoi unitet dhe vendosmëri, edhe sot kërkohet përgjegjësi qytetare, qëndresë dhe angazhim për të ardhmen e vendit.
Kjo protestë duhet të vazhdojë me vendosmëri, qytetari dhe paqësisht deri në realizimin e objektivave të saj politike.
Shqiptarët meritojnë një qeverisje më të mirë, institucione më të forta, më shumë drejtësi, më shumë dinjitet dhe një të ardhme që u shërben qytetarëve, jo interesave të pushtetit.
Koha e ndryshimit nuk vjen duke pritur. Ajo vjen kur qytetarët vendosin të bëhen zëri i saj.
Shqiperia e Shqiptareve jo e anti shqiptareve te Rilindjes.