Protesta e 35-të kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës është shoqëruar edhe me një mesazh simbolik në ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 250-vjetorin e Pavarësisë.
Gjatë marshimit nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, mes mijëra protestuesve janë valëvitur flamuj amerikanë krahas atyre shqiptarë, ndërsa nuk kanë munguar edhe pankartat uruese për SHBA-në. Në njërën prej tyre shkruhej: “Happy 250th Birthday, USA! May your freedom continue to inspire ours” (“Gëzuar 250-vjetorin, SHBA! Urojmë që liria juaj të vazhdojë të frymëzojë tonën”).
Mijëra qytetarë kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë në atë që pritet të jetë një nga protestat më të mëdha të zhvilluara deri më tani. Nën brohoritjet “Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion”, “Lironi çunat”, “Shqipëri e re” dhe “Rama në burg”, protestuesit kanë mbushur rrugët e kryeqytetit, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, lirimin e të arrestuarve gjatë protestës së mëparshme dhe ndryshimin e sistemit politik.
Atmosferës së protestës i janë bashkuar edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora. Për të dytën herë, mërgata shqiptare është bërë pjesë e tubimit në Tiranë, duke marshuar krah qytetarëve nga e gjithë Shqipëria drejt Kryeministrisë.








