Politike
PROTESTA/ BERISHA: SOT MOBILIZIM KOMBETAR
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim kombëtar në mbështetje të protestës studentore në Tiranë, duke kërkuar që demokratët dhe qytetarët t’i bashkohen revoltës ditën e sotme.
Sipas tij, skenari për të shmangur sulmet ndaj Kryeministrisë dhe për t’i zhvendosur ato drejt selive të PD-së dhe Partisë Socialiste dështoi. Berisha e cilësoi këtë si një përpjekje të regjimit për të drejtuar revoltën kundër opozitës.
Mesazh,
Për shpërndarje të menjëhershme:
Për Kryesinë e PD, drejtuesit politikë të qarqeve, deputetët, kryetarët e degëve, anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike.
Përshëndetje,
Mosbindja civile njohu sot përmasa të reja. Skenari i regjimit për të shmangur sulmet ndaj Kryeministrisë, duke i zëvendësuar ato me sulmin ndaj Selisë së PD dhe PS (de fakto ndaj PD), ndonëse e kishin marrë përsipër çirakët e tij në revoltë, dështoi me turp. Protestuesit refuzuan vendosmërisht të sulmonin selinë e PD.
Mottoja e ditës së sotme duhet të jetë solidaritet: solidaritet kombëtar me revoltën studentore në Tiranë.
SOT është me rëndësi shumë të madhe të mbështetet masivisht greva e përgjithshme e universiteteve dhe shkollave të mesme në të gjitha qytetet dhe degët e PD. Së bashku me të rinjtë, të hidhen në protestë para bashkive të partisë së krimit, komisariateve dhe prefekturave të gjithë anëtarët, mbështetësit tanë dhe qytetarët!
Përshëndetje të përzemërta, me respekt,
Sali Berisha