Shkrime
PS FITON PA LUFTE/ TANGO POLITIKE, RAMA MBRETERON, BERISHA I MBAN KUROREN
“Rama sundon, Berisha i mban kurorën” është teza e artikullit të publikuar nga Pamfleti, i cili analizon sjelljen e opozitës gjatë përplasjes për reformën territoriale dhe ngre pikëpyetje mbi aftësinë e Partisë Demokratike për ta kthyer kundërshtimin politik në veprim konkret.
Sipas autorit, PD kishte paralajmëruar prej ditësh protesta, mobilizim dhe rezistencë ndaj reformës territoriale, duke e paraqitur votimin në Kuvend si një betejë të rëndësishme politike. Por, sipas Pamfletit, dita e votimit nuk solli përballjen e paralajmëruar.
Në sallën e Kuvendit, pjesa më e madhe e deputetëve demokratë munguan në momente të rëndësishme të seancës, ndërsa punimet vijuan pa një bllokim të konsiderueshëm nga opozita. Artikulli vëren me ironi se, në këtë situatë, Erion Braçe u shfaq më aktiv në kundërshtimin e reformës sesa vetë opozita.
Edhe protesta jashtë Parlamentit, sipas artikullit, nuk arriti të krijojë presionin politik të paralajmëruar nga drejtuesit demokratë. Pas disa incidenteve gjatë paradites, thirrjes për mobilizim pasdite iu përgjigjën një numër i kufizuar protestuesish, ndërsa vetëm disa deputetë demokratë iu bashkuan tubimit.
Pikërisht këtu, sipas Pamfletit, shfaqet kontradikta kryesore: një opozitë që e kishte cilësuar reformën territoriale si betejë vendimtare, por që nuk arriti ta shndërronte këtë çështje në një përballje të fuqishme politike.
Artikulli ngre më pas një pyetje më të drejtpërdrejtë: a synon realisht opozita ta ndalojë reformën apo po përpiqet të përfitojë politikisht nga pasojat e saj?
Sipas këtij këndvështrimi, ndryshimet territoriale mund të krijojnë pakënaqësi edhe brenda elektoratit socialist, pasi prekin administrimin vendor, përfaqësimin dhe interesat e komuniteteve. Në këtë skenar, argumenton Pamfleti, opozita mund të ketë interes që reforma të kalojë dhe kostot politike të saj t’i paguajë mazhoranca.
Autori e konsideron këtë si një llogari politike, ku PD e kundërshton reformën në deklarata, por nuk përdor të gjithë forcën politike që pretendon se disponon për ta penguar.
Në fund, analiza e Pamfletit e zhvendos fokusin te marrëdhënia Rama-Berisha. Sipas artikullit, përplasja mes tyre vazhdon të dominojë politikën shqiptare, por dobësia e opozitës i krijon kryeministrit hapësirë për të marrë vendime pa u përballur me një rezistencë të fortë institucionale apo qytetare.
“Sa më shumë Berisha premton beteja që nuk i zhvillon, aq më e lehtë bëhet rruga e kryeministrit për të çuar përpara vendimet e tij”, është një nga përfundimet e artikullit.
Në këtë kuadër, Pamfleti e mbyll analizën me tezën se qytetarët që kërkojnë largimin e Ramës dhe Berishës e shohin problemin jo vetëm te pushteti, por edhe te mungesa e një alternative të fortë opozitare.
Sipas autorit, për sa kohë opozita paralajmëron beteja që përfundojnë me mungesë mobilizimi, Rama vijon të qeverisë me një kosto të ulët politike.
E PLOTE KETU
Demokratët paralajmëruan protesta të mëdha dhe rezistencë për të ndalur reformën territoriale, por dita vendimtare i gjeti me karriget bosh në Kuvend dhe me një protestë pa forcë. PD-ja u shfaq e ashpër në deklarata dhe e pafuqishme në veprime, duke ngritur dyshimin se Berishës i intereson më shumë kostoja elektorale që reforma mund t’i sjellë socialistëve sesa ndalimi i saj. Në këtë përplasje të zhurmshme, por pa rezistencë reale, Rama mbetet përfituesi kryesor.
Opozita shqiptare tregoi edhe një herë sot se nuk ka më forcë. Për ditë të tëra, Partia Demokratike paralajmëroi një përballje të madhe me mazhorancën për reformën territoriale. U fol për protesta, mobilizim dhe rezistencë, duke krijuar përshtypjen se Kuvendi do të përballej me një nga seancat më të tensionuara. Por kur erdhi dita, asgjë nga kjo nuk ndodhi.
Brenda Parlamentit, seanca vijoi me një normalitet që rrallë është parë në përballjet e fundit politike. Nuk pati bllokim të punimeve, as ndonjë përpjekje serioze për ta penguar procesin. Përkundrazi, gjatë një pjese të madhe të seancës, shumë prej deputetëve demokratë mungonin dhe karriget e opozitës mbetën bosh. Më shumë opozitë bëri Erion Braçe, sesa vetë opozita.
Jashtë Kuvendit, pamja ishte po aq domethënëse. Protesta që duhej të tregonte forcën e opozitës nuk prodhoi as mobilizimin, as trysninë politike të premtuar. Në raste të tjera, qytetarët e pakënaqur kanë reaguar më ashpër, sot reagimi nuk prodhoi atë që pritej. Pjesëmarrja e ulët e bëri edhe më të dukshëm hendekun mes kërcënimeve të drejtuesve të PD-së dhe aftësisë së tyre për të nxjerrë njerëzit në shesh. Paradite pati disa incidente, ndërsa pasdite thirrjes së PD për mobilizim në orën 18:00 ju përgjigjën vetëm disa dhjetra të rinj.
Ajo që e bën akoma dhe më të rëndë është se vetëm 3-4 deputetë ju bashkuan protestës, pjesa tjetër ose ishin në Kuvend ose në kafene.
Këtu nuk kemi thjesht një protestë të dobët. Kemi një opozitë që e shpalli reformën territoriale çështje vendimtare, por nuk arriti ta kthente në betejë politike. Kur një parti premton përballje dhe më pas mungon edhe në sallën ku zhvillohet debati, ajo nuk mund ta shpjegojë dështimin vetëm me forcën e mazhorancës.
Por pas kësaj pafuqie lind edhe një pyetje më e rëndë: a dëshiron vërtet Partia Demokratike ta ndalë reformën?
Në publik, Sali Berisha dhe demokratët flasin sikur po mbrojnë interesat e qytetarëve dhe të pushtetit vendor nga vendimet e Edi Ramës. Në praktikë, sjellja e tyre lë përshtypjen se po luajnë me dy porta. Nga njëra anë, denoncojnë reformën dhe kërkojnë të marrin kreditet e kundërshtimit. Nga ana tjetër, nuk ushtrojnë trysninë që vetë kanë premtuar për ta penguar.
Një shpjegim i mundshëm politik lidhet me pakënaqësitë që ndryshimet territoriale mund të shkaktojnë edhe brenda elektoratit socialist. Një reformë që prek kufijtë administrativë, përfaqësimin vendor dhe interesat e komuniteteve mund të krijojë kosto për mazhorancën. Nëse kjo ndodh, opozita mund të shpresojë të përfitojë politikisht prej saj, pa marrë vetë përgjegjësinë për vendimet.
Kjo do të ishte llogaria më cinike: ta kundërshtosh reformën me fjalë, ta lësh të kalojë në praktikë dhe më pas të presësh që pakënaqësia të kthehet në vota kundër socialistëve.
Kontrasti mes premtimeve për protesta të mëdha dhe mungesës së një reagimi të fortë sot është i dukshëm. Dhe ky kontrast kërkon përgjegjësi nga ata që e paraqitën reformën si një betejë vendimtare.
Në fund, Rama nuk kishte nevojë të përballej me një opozitë të fortë. Atij i mjaftoi opozita që kishte përballë: një parti që prodhon deklarata të ashpra, por nuk arrin t’i shndërrojë në veprim politik. Sa më shumë Berisha premton beteja që nuk i zhvillon, aq më e lehtë bëhet rruga e kryeministrit për të çuar përpara vendimet e tij.
Dhe këtu qëndron problemi më i madh i politikës shqiptare. Rama dhe Berisha paraqiten prej vitesh si kundërshtarë të papajtueshëm, por marrëdhënia e tyre politike ka prodhuar një realitet ku njëri qeveris pothuajse pa pengesa, ndërsa tjetri vazhdon të mbajë peng alternativën opozitare.
Prandaj, sot merr kuptim edhe më të fortë thirrja e qytetarëve që të largohen të dy, Rama dhe Berisha. Për sa kohë Berisha do të vazhdojë të shpallë beteja që përfundojnë me karrige bosh dhe protesta të vakëta, Rama do të vazhdojë të qeverisë i patrazuar. Sepse kur opozita dorëzohet para se të nisë beteja, pushteti nuk ka pse të luftojë për të fituar. /Pamfleti