Politike
RAMA HAP LLOGORE KUNDER SPAK PER BALLUKUN
Analisti Enton Abilekaj u shpreh se qëndrimi i mazhorancës kundër heqjes së imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku ishte i pritshëm, pavarësisht presionit ndërkombëtar.
Sipas tij, refuzimi për të pranuar kërkesën e SPAK tregon se shumica po konsolidohet si një grup që, përballë hetimeve, zgjedh të mbrojë veten duke krijuar barrikadë ndaj drejtësisë, në vend që të përballet me të sipas parimit të barazisë para ligjit.
Enton Abilekaj: Sigurisht që pritej që do të kishte dy qëndrime të ndryshme. Unë besoj që, për shkak të presionit që ka pasur ndërkombëtar ndaj mazhorancës, dhe që i është komunikuar zotit Rama nga disa përfaqësues të huaj, nuk mendohej që do të kishte një qëndrim kaq refraktar ndaj imunitetit të zonjës Balluku, por, me sa duket, mazhoranca ka vendosur që të mbajë një qëndrim refraktar, të mos e pranojë kërkesën e SPAK-ut dhe, ndoshta do të kemi një raport të palës së mazhorancës, i cili do të jetë kundër heqjes së imunitetit. Ishte e pritshme, pavarësisht, siç thashë, këtyre, sepse ishte paralajmëruar më parë dhe zoti Balla sot e tha duke nisur, nisur nga parimi i prezumimit të pafajësisë, dhe fakti që janë dy masa në ngarkim të zonjës Balluku ndërkohë tani që po flasim, kështu që rezultati ishte i pritshëm.
Faktet që u hodhën në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, që ne nuk i dëgjuam, por na u referuan nga pjesëmarrësit e opozitës, janë fakte që, në qoftë se do të verifikohen të vërteta, besoj që janë shumë të rënda dhe tregojnë që kjo mazhorancë, ato kërcënimet dhe joshjet që Edi Rama i bënte hapur në takimin e AKSHI-t, në fakt janë moto e kësaj mazhorance në sjelljen përballë drejtësisë. Këta joshin dhe intimidojnë dëshmitarë, për t’ju shmangur drejtësisë dhe krijojnë një barrikadë ndaj drejtësisë, e cila sa më sa më shumë kur drejtësia është duke përparuar në drejtim të tyre, aq më shumë konsolidohet barrikada ndaj drejtësisë.
Kështu që mendoj që kjo është koha kur kjo konsolidimi i mazhorancës si një grup i kapur në korrupsion përballë drejtësisë, të ndajë në llogore të qarta drejtësinë e vërtetë me ata që janë të kapurit e drejtësisë dhe që tani është shumë e qartë se kush janë në të vërtetë. Se deri dje ne kishim paqartësi të mëdha, por tani është e qartë se kush është, kush është vërtetë ajo palë që e ka, që e lufton drejtësinë dhe që nuk është gati të dalë përpara saj, të përballet me të njësoj si të gjithë qytetarët.