✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

PS “urdhëroi” përjashtimin e deputetëve të PD nga Kuvendi/ Bardhi: Nuk tërhiqemi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit për përjashtimin e 20 deputetëve demokratë nga Kuvendi, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë agresioni politik dhe një përpjekje për të kufizuar zërin e opozitës në Parlament.

Në reagimin e tij, Bardhi akuzoi mazhorancën se po vepron nga frika e opozitës dhe e qytetarëve. Ai theksoi se deputetët demokratë janë në Kuvend në bazë të mandateve të fituara nga qytetarët dhe jo me lejen e qeverisë.

Sipas Bardhit, vendimi për përjashtimin e deputetëve tregon arrogancë dhe shpërfillje ndaj demokracisë parlamentare. Ai nënvizoi se kjo masë nuk do ta ndalë Partinë Demokratike të denoncojë ato që i konsideron abuzime të qeverisë dhe të kërkojë llogaridhënie nga mazhoranca

REAGIM: Kanë humbur qetësinë, kanë humbur arsyen dhe po tregojnë hapur frikën nga qytetarët dhe opozita!  Përjashtimi i 20 deputetëve të PD-së nga Kuvendi është një akt i rëndë agresioni politik dhe një përpjekje e hapur për të goditur opozitën dhe për të mbytur zërin e qytetarëve që ajo përfaqëson.

Ata që qytetarët i kanë refuzuar dhe i kanë shpallur të padëshiruar, sot kërkojnë të përjashtojnë nga Kuvendi përfaqësuesit e opozitës. Ky është kulmi i arrogancës dhe i shpërfilljes së demokracisë parlamentare.

Kuvendi nuk është pronë e pushtetit dhe opozita nuk është në Kuvend me lejen e qeverisë, por me mandatin e qytetarëve! Ndryshe nga deputetët vasalë të klaneve kriminale, mbi të cilët rëndojnë akuza dhe dyshimet për lidhje me krimin e organizuar apo akte korrupsioni, deputetët e PD-së janë aty për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, për të denoncuar abuzimet dhe për t’i kërkuar llogari një pushteti që kërkon të sundojë pa kundërshtim.

Përjashtimi i deputetëve nuk e mbyll gojën e opozitës, nuk e fshin të vërtetën dhe nuk e ndal betejën për demokracinë. Përkundrazi, çdo përpjekje për të përjashtuar opozitën vetëm sa dëshmon frikën e pushtetit nga fjala e lirë dhe llogaridhënia.

Opozita nuk do të intimidohet, nuk do të heshtë dhe nuk do të tërhiqet përballë asnjë presioni politik. Demokracia nuk mbrohet duke përjashtuar kundërshtarët, por duke respektuar pluralizmin dhe vullnetin e qytetarëve.

Advertisement