Connect with us

Kronike

Publikohen pamjet e sherrit fatal në Prizren, 14-vjeçari humbi jetën pas goditjes me thikë

Janë publikuar pamjet e momenti të sherrit mes të miturve që i mori jetën 14-vjeçarit Omer Purova, ngjarje e ndodhur mesnatën e së enjtes në rrugën “Shotë Galica” në Prizren.

Sipas pamjeve të siguruara nga KlanKosova.tv shikohet momenti kur autori i ngjarjes 17-vjeçari E.H së bashku me shokun e tij, në një hyrje pallati e rrethojnë të miturin, të cilin fillimisht e kapin nga foto, pastaj shoku i autorit e grushton. Brenda vetëm pak minutash, 17-vjeçari i afrohet më afër dhe e qëllon me thikë duke i shkaktuar Purovës plagë aq të mëdha të cilave nuk iu mbijetoi dot.

Fakti që bie më së shumti në sy nga pamjet e publikuara, është momenti kur teksa të miturit grushtohen e përplasen mes tyre, një grua shfaqet duke kaluar në vendngjarje, mirëpo pa reaguar për t’u përpjekur për t’i ndarë. Që në momentin kur kalon në hyrje të godinës ku të miturit shikohen duke u përplasur, gruaja shfaq një indiferencë ndaj situatës dhe largohet e qetë pa e kthyer kokën pas.

 

Pavarësisht ndërhyrjeve të bluzave të bardha si në vendngjarje ashtu dhe në spital, Omer Purova mbylli sytë përgjithmonë në një moshë delikate të jetës, vetëm 14 vjeç. Shefi i emergjencës së Prizrenit ka bërë me dije se u ndërmorën të gjitha ndërhyrjet e nevojshme mjekësore, mirëpo i mituri nuk ia doli dot, duke lënë pas një boshllëk të madh e dhimbje të pashërueshme për familjen, miqtë, shokët e shoqet e klasës si dhe të afërmit e tij.

Zemërthyer për humbjen tragjike të Omerit kanë reaguar familjarë e shokë të tij, të cilët kanë rrëqethur me dedikimet e bëra për 14-vjeçarin.

Një reagim prekës ka ardhur dhe nga shkolla ku Omeri kreu studimet, 9-vjeçarja “Emin Duraku” në Prizren, e cila ka shprehur ngushëllime për familjen Purova, duke e kujtuar të riun si një nxënës që la pas kujtime të dhimbshme për bashkëmoshatarët dhe mësimdhënësit e tij.

“Ëndrrat e tij mbetën në gjysmë”, thuhet në reagimin e shkollës, e cila ka shprehur pikëllimin për humbjen e parakohshme të 14-vjeçarit.

Një humbje e madhe jo vetëm për familjen por për të gjithë personat që e njohën Omerin por edhe të tjerë. Një djalë 14-vjeçar vdiq në fillimet e jetës së tij, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta.

Siç kemi raportuar dhe ditën e djeshme, në lidhje me ngjarjen e rëndë është ndaluar menjëherë dhe autori i dyshuar, 17-vjeçari E.H, të cilit në momentin e ndalimit iu gjet dhe një thikë me vete, me të cilën dyshohet se i mori jetën Omerit 14-vjeçar.

Advertisement