Connect with us

Politike

Pushteti autokratik i Ramës do të marrë fund/ Agron Shehaj: Duhet të rinovojmë opozitën

Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj ka folur për rezultatin e zgjdhjeve në Hungari, ku pushtetit 16 vjeçar të Viktor Orban i erdhi fundi.

Shehaj deklaroi se opozita duhet të mësojë nga ajo që ndodhi në Hungari dhe të rinovohet, por shtoi se Rama do të mundet me zgjedhje, edhe pse kjo gjë duket si e pamundur, njëlloj siç ndodhte në Hungari.

“Është e drejtë të bëjmë krahasime. Shoh nga ajo që ndodhi në Hungari dhe kërkoj të kuptoj çfarë ka funksionuar. Por duhet të jemi të vëmendshëm se si ti bëjmë krahasimet. Hungaria ka probleme të ngjashme me Shqipërinë por janë të pakrahasueshme përmasat. Nuk di që mafia hungareze të kontrollojë narkotrafikun në Amerikën Latine. Sigurisht, flasim për një vend që është pjesë e BE. Edhe presioni nga ana e BE nuk është i njëjti në Shqipëri, në raport me sjelljen prej autokrati.

Ne duhet të mësojmë nga çfarë ka ndodhur në Hungari. Themi se Rama është e pamundur të mundet me zgjedhje, besoj se edhe aty është bërë ajo pyetje me vite me rradhë, në Hungari, këtij i thoshin e pamundur. Orbani që ka kapur mediat, drejtësinë, etj.

Mendoj se e vetmja mënyrë për të larguar Ramën do të jetë me zgjedhje. Është çështje kohe, mund të dojë kohë, mund t’ja dalë unë apo dikush tjetër, por një ditë pushteti autokrat i Ramës do të përfundojë.

Nga një anë dukej e pamundur në Hungari, duket edhe në Shqipëri, por nuk do të thotë se nuk do të ndodhë.

Ramën nuk e kemi në kontroll. Kemi vendosur të mos përdorim dhunë. Duhet të rinovojmë opozitën. Nëse në Hungari alternativa e Orbanit do të ishte ish kandidati për kryeministrin në 91-shin, shanset do të ishin më të vogla. Opozita duhet të shohë nga vetja, është e dobët. Opozita tradicionale, nuk është mjaftueshëm e besueshme. Partitë e reja nuk janë mjaftueshëm të mëdha. Qartësisht vuan besueshmëria e opozitës”, deklaroi Shehaj.

Advertisement