Politike
PUSTEC/ Nuk u luajt Himni Shqiptar, Rama shpërthen: S’ka mushkë Troje që na lëkund
Një incident protokollar në Pustec ka shkaktuar reagime politike në Tiranë. Gjatë një aktiviteti folklorik maqedonas, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua vetëm himni maqedonas, ndërsa himni kombëtar shqiptar nuk u luajt. Ngjarja është raportuar si përsëritje e një incidenti të ngjashëm të ndodhur më herët.
Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, reagoi pas ceremonisë duke kërkuar ndjesë. Ai sqaroi se Bashkia e Pustecit nuk ishte organizatore e aktivitetit, por kishte kërkuar paraprakisht që, krahas himnit të Maqedonisë së Veriut, të ekzekutohej edhe himni shqiptar.
Sipas Kolefskit, kërkesa e tij nuk u mor parasysh dhe situata krijoi shqetësim edhe gjatë aktivitetit. Ai tha se kishte komunikuar me kryeministrin Mickoski, i cili, sipas tij, ishte i shqetësuar për atë që ndodhi.
Rama: “Një parodi domethënëse”
Pas incidentit ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Ai e cilësoi ngjarjen si një “parodi domethënëse” dhe vlerësoi qëndrimin e kryebashkiakut Kolefski, i cili kërkoi përfshirjen e himnit shqiptar dhe më pas kërkoi ndjesë.
“Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij”, shkroi Rama.
Rama theksoi se Shqipëria i konsideron komunitetet minoritare si pjesë të rëndësishme të vendit dhe se respektimi i tyre nuk duhet të shoqërohet me cenimin e simboleve kombëtare.
Në reagimin e tij, kryeministri përdori një gjuhë të fortë ndaj asaj që e cilësoi si “nacional-folklorizëm ballkanik”, duke nënvizuar se incidente të tilla nuk mund të ndikojnë në sovranitetin apo në stabilitetin e Shqipërisë.
“Nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo ‘diasporë’ të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund”, deklaroi Rama.
Ministria e Jashtme: Mungesë serioze protokolli
Edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar për incidentin, duke e cilësuar mosluajtjen e himnit shqiptar si mungesë serioze protokollare.
Ministria ka theksuar se respektimi i simboleve kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike dhe se në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të respektohen rregullat e protokollit dhe simbolet kombëtare.
Incidenti në Pustec rikthen në vëmendje edhe një herë debatet mbi identitetin, respektimin e simboleve shtetërore dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në zonat ku jetojnë komunitete minoritare.