Kronike
“Qëllova në ajër për qejf”, dëshmia pas të shtënave me armë në Ndroq
Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me të shtënat me armë që tronditën mbrëmjen e djeshme zonën e Ndroqit. Sipas të dhënave paraprake, në ngjarje dyshohet se janë përfshirë familjarë të Sinan Idrizit, një emër i njohur më herët për policinë dhe mediat.
Në lidhje me ngjarjen, mësohet se janë shoqëruar në polici Sinan Idrizi, Ramiz Idrizi, Serxho Idrizi dhe Dashamir Idrizi.
Sipas burimeve, në momentin që policia është afruar pranë banesës së Sinan Idrizit, të dyshuarit raportohet se kanë hedhur armët e zjarrit. Gjatë kontrolleve, policia ka gjetur një armë, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar nëse në ngjarje janë përdorur edhe armë të tjera.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se tre vëllezër dhe djali i njërit prej tyre ndodheshin së bashku duke ngrënë. Njëri prej tyre kishte me vete një çifte dhe, gjatë marrjes në pyetje, ka deklaruar se kishte qëlluar në ajër “për qejf”.
“Në Sallën Operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në fshatin Zbarqe, Ndroq, ishin dëgjuar të shtëna me armë.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Gjatë veprimeve të para hetimore dhe kontrollit të zonës, është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu (çifte) dhe municion.
Për verifikimin dhe sqarimin e rrethanave të rastit, janë shoqëruar 4 shtetas në Komisariat.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit.”, njoftoi mbrëmë Policia.