Bota
Qindra të pastrehë në Romë, fëmijë e të moshuar në rrugë pas mbylljes së qendrës sociale
Një krizë strehimi ka shpërthyer në zemër të Romës, ku qindra persona, mes tyre fëmijë, të moshuar dhe njerëz me aftësi të kufizuara, kanë mbetur në rrugë pas mbylljes së qendrës sociale “Spin Time Labs”.
Banorët janë detyruar të jetojnë prej më shumë se një jave në çadra të vendosura përpara ndërtesës në lagjen Esquilino, ndërsa temperaturat e larta kanë vështirësuar edhe më shumë situatën. Ata kërkojnë nga autoritetet italiane një zgjidhje të qëndrueshme për strehimin, duke deklaruar se qendra ka qenë për vite me radhë një pikë mbështetjeje për familjet në vështirësi ekonomike.
“Spin Time Labs” u krijua në vitin 2013 dhe me kalimin e viteve u kthye në një hapësirë komunitare ku ofroheshin shërbime sociale, ushqim, ndihmë për migrantët, ambiente pune dhe aktivitete për fëmijët.
Ndërhyrja e autoriteteve erdhi pas një zjarri të vogël të regjistruar më 29 korrik, pas të cilit ndërtesa u evakuua dhe u vendosën masa sigurie. Policia argumentoi se kontrollet ishin të domosdoshme për garantimin e sigurisë së objektit, ndërsa banorët pretendojnë se incidenti u përdor si justifikim për t’i larguar nga godina.
Çështja ka hapur një debat të gjerë politik në Itali. Qeveria e drejtuar nga Giorgia Meloni ka mbajtur një qëndrim të fortë ndaj ndërtesave të zaptuara, duke i cilësuar ato si problem ligjor dhe sigurie. Në krahun tjetër, organizatat sociale dhe përfaqësues lokalë kërkojnë që personave të prekur t’u ofrohet një alternativë reale strehimi.
Këshilli i Romës ka ndërhyrë duke siguruar përkohësisht çadra, ushqim, ujë dhe asistencë mjekësore për banorët, ndërsa po shqyrton edhe mundësinë e blerjes së ndërtesës për të ruajtur funksionin e saj social.
Banorët e “Spin Time Labs” vijojnë të kërkojnë rikthimin në godinë ose një zgjidhje afatgjatë nga institucionet italiane, ndërsa debati për strehimin social dhe ndërtesat e zaptuara mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në Romë.