Connect with us

Politike

Rama ballafaqohet me protestën: Populli s’na vlerëson më, por kërkon llogari! Ka të drejtë!

Populli tashmë e krahason Shqipërinë me vendin e mundësive ku pret të mbërrijë, tha kryeministri Rama. Ai tha se nuk ka më vlerësime pasi tani populli kërkon llogari.

“Bulevardi i flamingove është prova më shembullore se shqiptarët e krahasojnë Shqipërinë me bulevardin e mungesave, por me vendin e mundësive ku presin të mbërrijnë. Madje, sikur duan ta harrojnë edhe atë që mbajnë mend akoma sepse na gjykojnë pa mëshirë pikërisht sepse panë atë që ndryshoi. Udhëkryqi që kam folur edhe më parë është ky. Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave. Ne dhe askush tjetër. Prandaj sot përballemi me një popull që e mat Shqipërinë me pritshmëritë e veta dhe na kërkon llogari më shumë nga sa do të donim ne për gjithçka për t’u bërë. Një popull që bezdiset kur tregojmë nga sa poshtë jemi nisur dhe sa lart do të shkojë. Ka të drejtë. Sa më i madh dhe i fortë të jesh përballë kësaj të drejte, aq më në rrezik je. Nëse nuk e kupton që është më e madhe sesa ti, qofsh edhe vetë PS apo u quajtsh Edi Rama”, tha kryeministri.

‘Te protesta pashë të vërtetën tronditëse’, Rama: Ne kishim fakte, njerëzit përjetim!

Protesta para kryeministrisë tregoi hendekun mes fakteve të qeverisë dhe përjetimit të njerëzve, tha Rama. Ai përsëriti se protesta pati ndërhyrje të jashtme, por përjetimi i njerëzve ishte zemra e saj.

“Në pasqyrën e bulevardit të flamingove unë pashë një të vërtetë tronditëse që asnjë statistikë nuk e tregon, por asnjë provë nuk e rrëzon: ne lart, kishim fakte. Njerëzit poshtë, kishin përjetim.  Në atë protestë pati ndërhyrje të huaj, brutale madje, manipulime të panumërta, lajme të rreme dhe plot aktorë të vënë nga qëllime të ndryshme, ishin pjesë e rëndësishme e protestës. Ekspozimi dhe analiza e tyre janë të domosdoshme për ta kuptuar, por nuk ishin zemra e atij manifestimi spektakolar që e ktheu bulevardin në hendekun më të dukshëm të mundshëm mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve. Përgjigjja për themelin e atij hendeku nuk duhet kërkuar te pjesët e bashkëngjitura të protestës, por duhet gjetur te njerëzit dhe konfliktet me përvojën e përditshme. Njerëzit bëhen gjithnjë e më pak tolerantë, sidomos pas përvojave të hidhura me administratën që e derdhën kupën në bulevard. Ai hendek nuk u hap për të qëndruar ashtu, por për t’u mbyllur. Harrojini faktet tona dhe fokusohuni te përjetimi i njerëzve. Atë e ka hapur rënia e besimit se pritshmëritë e tij do të realizohet dhe fakti më kokëfortë duket si gënjeshtër, por më zi, edhe gënjeshtra më e madhe fillon të duket si e vërtetë”, tha Rama.

Rama: Hija e emrit të Trump e bëri protestën e Zvërnecit legjendë globale

Kryeministri Edi Rama tha në fjalën e mbajtur para deputetëve dhe ministrave socialistë, se hija e emrit të Trump e ktheu protestën e flamingove në një legjendë globale.

Sipas tij, pa atë lidhje protesta do të ishte në rastin më të mirë çështje shqiptare, apo jashtë vëmendjes së botës.

“Mbi Zvërnecin qëndronte edhe hija e emrit më polarizues të politikës dhe medias botërore, përderisa në qendër të projektit ishte dhëndri dhe e bija e tij. Pa atë lidhje protesta do të ishte në rastin më të mirë çështje shqiptare, jashtë vëmendjes së dynjasë. Por falë asaj lidhjeje ajo u bë menjëherë një legjendë globale, ku shumëkush ndër fansat e huaj të protestës, përfshirë edhe një senator mitik deshi ta shihte Shqipërinë si shëmbëlltyrën guximtare një Davidi të vogël që u ngrit dhe u rebelua ndaj një Goliathi të gjithëfuqishëm”, tha Rama.

Rama: Sulmi ndaj hebrenjve ishte ‘përdhunim publik’ i familjeve shqiptare që i mbrojtën me jetën e tyre

Kryeministri Edi Rama e cilësoi shënjestrimin e hebrenjve dhe shkuljen e flamurit izraelit nga protestuesit si një akt që cenon një nga faqet më të ndritura të historisë shqiptare.

“Një vend pa besim është i pambrojtur dhe një demokraci pa besim është shesh për çdo përshesh. Fakti që për herë të parë Shqipëria përjetoi shijen e stërkeqe të ndasisë fetare, që u manifestua për turpin e të gjithëve ne, ishte drejtpërdrejt një orkestrimi.

Shënjestrimi i kombit hebre, që shkoi deri te shkulja e flamurit izraelit, nxiti edhe ata që ishin fizikisht rrotull dhe u shfrytëzuan nga një tufë e verbërish mendorë. Ky ishte një përdhunim publik i shumicës së shenjtë të familjeve shqiptare, që morën në mbrojtje hebrenjtë me jetën e tyre, duke i treguar Europës se një vend i vogël, i varfër dhe i dobët u bë busulla morale e një kontinenti.

As ndërhyrja e aktorëve të huaj shtetërorë, as sponsorizimi marramendës nuk e shpikën sekëlldinë që nxori “flamingot” në bulevard. Ata vetëm e shfrytëzuan atë sekëlldi dhe u përpoqën ta kthenin në një zjarr të pakontrollueshëm.

Pasojat u panë në bilancin e qershorit për turizmin, ku për herë të parë pas shumë vitesh rritja u ndal. Dua të jem po kaq i qartë: duke u treguar shqiptarëve që kjo po ndodhte, nuk kam akuzuar shqiptarët e sinqertë. As më ka shkuar dhe as më shkon në mend që reagimi im të jetë shpallja e protestuesve si armiq apo agjentë.

Përtej rritjes së domosdoshme të kapaciteteve mbrojtëse teknologjike, duhet ta shtrijmë reagimin edhe te adresimi i atij hendeku, duke shpjeguar qartë dhe me empati për njerëzit”, tha Rama .

‘Fitorja e 83 mandateve, bekim e mallkim’, Rama: Faktet tona nuk besohen sepse jepen me arrogancë, jo me empati

Fitorja e 83 mandateve të 11 majit 2025 është bekim e mallkim, tha kryeministri Rama në mbledhjen e grupit. Kjo e sjell qeverinë para pranimit të vështirë se faktet nuk dëgjohen sepse jepen me arrogancë dhe pa empati.

“Fitorja e 83 mandateve është bekim, por edhe mallkim. Fitoret e mëdha si ajo e majit të shkuar e kthejnë në mbipeshë çdo përplasje të përjetuar keq mes realiteit dhe përjetimit të shoqërisë. Ne vetë e bëmë Shqipërinë të mos krahasohej me dje. Duhet të pranojmë atë që dhemb edhe më shumë faktet tona shpesh nuk dëgjohen edhe sepse përjetohen si arrogancë, jo se janë të rreme, por se kur jepen, jepen pa empati. Një e vërtetë e thënë me arrogancë mund të humbasë përballë një gënjeshtre të thënë me empati”, tha Rama.

Rama: Nëna e shokut tim nuk doli në protestë për Zvërnecin

Kreu i qeverisë tha nga Pallati i Brigadave se investimet në infrastrukturën shëndetësore dhe shërbimet publike nuk mjaftojnë nëse qytetarët vazhdojnë të përballen ende me probleme.

“ J’ua kam treguar rastin e një nënës së një shokut tim. Edhe ajo doli në protestë, jo për Zvërnecin, por sepse sa herë i duhej të vizitohej në poliklinikë, ngrihej pa zbardhur dita për të zënë radhën, pasi mjeku shkonte vonë dhe ajo priste 2-3 orë. Ne mund t’i tregojmë asaj gjysheje sa spitale kemi ndërtuar apo sa pajisje kemi blerë, por të gjitha këto apo punët e panumërta që kemi bërë, janë fakte.

Por fakti i saj është përvoja e asaj radhës në Poliklinikë kur dielli s’ka dalë akoma. Dhe kur faktet tona përplasen me përvojën  e gjyshes nuk mund t’i kërkojmë të ndryshojë përvoja. Duhet të ndryshojmë ne”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama pranoi se qytetarët shqiptarë kanë rritur pritshmëritë ndaj qeverisë dhe se sot e gjykojnë pushtetin më ashpër se më parë.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se shqiptarët nuk e krahasojnë më vendin me të shkuarën, por me atë që presin të arrijë në të ardhmen, duke theksuar se “na gjykojnë pa mëshirë” dhe “na kërkojnë llogari për gjithçka që mbetet për t’u bërë”, pavarësisht se në krye të qeverisë është “edhe po të quhesh Edi Rama”.

“Bulevardi i flamingove është prova më shembullore se shqiptarët e krahasojnë Shqipërinë jo me bulevardin e mungesave, por me vendin e mundësive ku presin të mbërrijnë.

Madje, sikur duan ta harrojnë edhe atë që mbajnë mend akoma, sepse na gjykojnë pa mëshirë pikërisht sepse panë atë që ndryshoi.

Udhëkryqi që kam folur edhe më parë është ky. Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave. Ne dhe askush tjetër.

Prandaj sot përballemi me një popull që e mat Shqipërinë me pritshmëritë e veta dhe na kërkon llogari më shumë nga sa do të donim ne për gjithçka për t’u bërë.

Një popull që bezdiset kur tregojmë nga sa poshtë jemi nisur dhe sa lart do të shkojë. Ka të drejtë.

Sa më i madh dhe i fortë të jesh përballë kësaj të drejte, aq më në rrezik je. Nëse nuk e kupton që është më e madhe sesa ti, qofsh edhe vetë PS apo u quajtsh Edi Rama”, tha kryeministri.

Advertisement