Politike
Rama: Çdo ndërhyrje e deputetëve për të futur dikë në punë të bëhet vepër penale! Do t’ju kërkoj të gjithëve ta votoni
Kryeministri Edi Rama propozon që ndërhyrjet e deputetëve për punësime në administratë të konsiderohen vepër penale. Sipas tij, punësimi dhe ngritja në detyrë duhet të bazohen te merita dhe jo te lidhjet politike apo personale.
“Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur dikë në punë të quhet vepër penale. Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: “Fute këtë”, “shife atë”, të konsiderohet vepër penale. Një deputet që bën këtë nuk është i denjë për të përfaqësuar ata të tjerët që nuk kanë akses, që nuk janë pjesë e rrethit të tarafit të tij apo shokë të fëmijëve. Vepër penale. Shkalla e meritës duhet të krijojë një arkitekturë të qartë. Grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër. Në anketimin e administratës publike ka një të dhënë që duhet t’ju mbetet të gjithëve sot”, tha Rama.
Rama: Po ndërtojmë Radarin dixhital për të detektuar sinjalet, s’mund të biem pre e histerisë
Radar, mekanizmi tjetër i PasqyrAlbania, do të detektojë sinjalet e botës dixhitale, tha kryeministri Rama. Radari do të ndjekë dinamikat e çështjeve dhe si lëvizin ato në hapësirën publike për “të mos rënë pre e histerisë.”
“Në arkitekturën e këtij sistemi të ri, ne po ndërtojmë edhe një Radar dixhital që do të jetë Radari i qeverisë për të detektuar sinjalet e botës dixhitale. Radari dallon sinjalin, ashtu sikundër krjon kapacitet për të parë sesi janë dinamikat në territore të ndryshme, por gjykon njeriu, nuk diskutohet, Besa reagon. Radari ndjek dinamika, ndjek lëvizjen e çështjeve në sferën e interesit publik dhe nuk mund të jemi një elefant që e marrin për hunde të gjithë të botës dixhitale të pasqyrave virtuale, që vënë gjoba mbi biznesin, mbi ju se mua nuk ka shans të më vërë dot gjobë askush, por gjoba mbi ju në formë presionesh, prandaj ne duhet të kemi zotërim në këtë botë, për të ndarë qytetarin dhe shqetësimin për të cilin ne përgjigjemi nga gjoba, nga lajmi i rremë, nga qumështi që kthen në shterpë vajzat që e pijnë, nga buka që kush e ha, lind fëmijë me sy të bardhë apo nga ilaçi që kush e pi kthehet nga mashkull në femër dhe anasjelltas. Ne s’mund të jemi pre e gjithë kësaj histerie ku nuk di më kush është prapa, çfarë po të thotë dhe çfarë të besosh”, tha kryeministri.